Arbana Osmani: “Mezi prisja të mbaronte BBV, po humbisja veten time”

Arbana Osmani ishte e ftuara speciale në natën finale të “X Factor Albania”, ku ndau me publikun një monolog të fuqishëm dhe shumë personal mbi largimin e saj nga televizioni dy vite më parë. Moderatorja e njohur rrëfeu për herë të parë se si e përjetoi fundin e rrugëtimit të saj me “Big Brother VIP”, një vendim i vështirë, por i domosdoshëm për të mos humbur veten.

“Në kulmin e karrierës sime, në një studio me shumë drita dhe audiencë rekord, mezi prisja të mbaronte edicioni i ‘Big Brother’. Ishte gjithçka që një moderator mund të ëndërronte – sukses, para, tituj, kontrata – por nuk ndihesha mirë. Po humbisja veten time, gjënë më të çmuar që kam. Dhe vendosa të largohem. Pa ndonjë plan B, me shumë frikë, por me bindjen se ishte hapi i duhur.”

Arbana tregoi se pavarësisht paragjykimeve dhe presionit që ndjente nga rrethi i saj, ajo zgjodhi të dëgjonte zemrën dhe të hiqte dorë nga fama për të gjetur qetësinë dhe veten. Në atë periudhë nisi të shijonte jetën reale dhe të rikuperonte kohën me familjen dhe fëmijët.

“Jeta ime nuk matet me ndjekës, grim apo tituj portalesh. Vërtet ika nga suksesi në sytë e publikut, por gjeta një sukses të ri – atë të përditshmërisë me fëmijët e mi. Nuk ishte e lehtë, por ishte një dhuratë për veten time.”

Moderatorja tregoi gjithashtu një moment tepër emocional gjatë Festivalit të Këngës në RTSH, kur e bija e saj Zoi ishte vetëm 3 muajshe. E ngarkuar mes provave dhe premierës së “Big Brother”, ajo përjetoi një krizë të thellë personale kur kuptoi se stresi i kishte ndalur qumështin e gjirit.

“E mbajta Zoin në krahë, qante dhe nuk e kuptoja pse. Në të njëjtën kohë më binte telefoni pa pushim. Papritur kuptova se më kishte ikur qumështi dhe vetëm qaja. Thosha me vete: ‘Arbana, çfarë po bën?’. Ishte një moment thellësisht njerëzor që s’e kam ndarë më parë. E mbusha shishen me qumësht, ia dhashë, u qetësua. U fshiva, vesha fustanin dhe dola në skenë.”

E pyetur nga Alketa Vejsiu për një rikthim të mundshëm në ekran, Arbana u përgjigj me maturi dhe sinqeritet:

“Do të kthehem kur të ndjej që është momenti im. Kur të vijë një projekt që më frymëzon, që më bën ta bëj me shpirt – ashtu siç kam bërë gjithmonë.”

Arbana përmbylli fjalimin e saj me një mesazh të fortë: “Mos humbisni dritën tuaj në kërkim të suksesit. Jeta nuk është për të qenë të përsosur, por për të qenë të vërtetë. Unë kam zgjedhur të jetoj jetën time, jo pritshmëritë e të tjerëve – ndoshta kjo është forma më e pastër e guximit.”

Lini një Përgjigje