Monika Kryemadhi mbetet një nga figurat më të komentuara të këtij viti, duke surprizuar publikun me rikthimin e saj si opinioniste në Big Brother VIP Albania. Edhe pse shumëkush priste që ajo të tërhiqej pas zhvillimeve në jetën politike dhe personale, ajo ka zgjedhur të jetë më aktive se kurrë, duke e menaxhuar me sukses këtë rol të ri në ekran.
Paralelisht me angazhimin televiziv, vëmendje të madhe ka marrë edhe projekti i saj i ri në kinematografi. Filmi i saj i parë, Me fat, ka nisur tashmë rrugëtimin në kinema, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e saj.
Gjatë një interviste në emisionin Goca dhe Gra, Kryemadhi ndau disa detaje interesante nga jeta personale. Ajo tregoi se djali i saj, Besari, i cili zakonisht qëndron larg vëmendjes mediatike, ka qenë fillimisht skeptik për përfshirjen e saj në film. Megjithatë, sipas saj, një rol kyç në ndryshimin e këtij qëndrimi ka pasur partnerja e tij.
Monika ka folur më herët me superlativa për zgjedhjen e djalit, duke theksuar se kjo lidhje ka ndikuar pozitivisht edhe në afrimin e tij me familjen.
Së fundmi, burime për Prive kanë zbuluar se partnerja e Besarit është këngëtarja e njohur nga Shkupi, Kanita. Artistja, e cila njihet për zërin e saj të veçantë dhe stilin diskret, raportohet se është prej kohësh në një romancë të qëndrueshme me të birin e Kryemadhit.
Ky zhvillim ka shtuar edhe më shumë interesin e publikut për jetën personale të Monika Kryemadhi, duke e mbajtur atë vazhdimisht në qendër të vëmendjes mediatike.