Pikat kryesore
- Sipas njoftimit, situata vijon të jetë e rënduar, ndërsa shërbimi zjarrfikës po punon për shuarjen e plotë të vatrës së zjarrit.
- Për arsye sigurie dhe me kërkesë të shërbimit zjarrfikës, njëra nga linjat 110 kV mbahet e stakuar deri në neutralizimin e plotë të rrezikut.
- Ministri bën me dije se në orën 15:40, si pasojë e zjarrit, u stakuan linjat 110 kV që furnizojnë nënstacionin e Shkozetit, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në qytetin e Durrësit.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka informuar përmes rrjeteve sociale mbi situatën e krijuar në qytetin e Durrësit, pas zjarrit të rënë në një objekt privat (magazinë) në afërsi të rrjetit 110 kV në zonën e Shkozetit. Sipas njoftimit, situata vijon të jetë e rënduar, ndërsa shërbimi zjarrfikës po punon për shuarjen e plotë të vatrës së zjarrit. Për arsye sigurie dhe me kërkesë të shërbimit zjarrfikës, njëra nga linjat 110 kV mbahet e stakuar deri në neutralizimin e plotë të rrezikut. Ministri bën me dije se në orën 15:40, si pasojë e zjarrit, u stakuan linjat 110 kV që furnizojnë nënstacionin e Shkozetit, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në qytetin e Durrësit. Brigadat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST sh.a.) ndodhen në terren dhe janë të gatshme të ndërhyjnë për riparimin e defektit dhe dëmeve të shkaktuara në linjën 110 kV menjëherë pas shuarjes së plotë të zjarrit dhe krijimit të kushteve të sigurta për punë. Ndërkohë, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka marrë masa të menjëhershme për furnizimin e një pjese të zonave të prekura përmes linjave alternative (unazë). Si rezultat i këtyre manovrave, energjia elektrike është rikthyer pjesërisht në qytetin e Durrësit dhe ekipet po vijojnë punën për normalizimin e plotë të furnizimit. Megjithatë, sipas ministrit, situata mbetet sfiduese, pasi furnizimi përmes unazimeve nuk mund të mbahet për një kohë të gjatë për shkak të ngarkesave të larta në rrjet. Rivënia në punë e linjave 110 kV do të realizohet sapo zjarri të jetë shuar plotësisht dhe të garantohet siguria për ndërhyrjen e ekipeve teknike. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për situatën e krijuar dhe siguron se strukturat e OST dhe OSSH janë në gatishmëri të plotë për të rikthyer sa më shpejt furnizimin me energji elektrike në të gjithë zonën e prekur.