Pikat kryesore
- Sipas të dhënave të Eurostat, që për Europën i përkasin vitit 2025, ndërsa për Shqipërinë vitit 2023, rreth 53% e familjeve në Shqipëri nuk mund të përballojnë një javë pushime.
- Shqipëria renditet e dyta, pas Rumanisë, ku kjo përqindje kalon 60%.
- Pas Shqipërisë renditen Turqia, me rreth 51%, Maqedonia e Veriut, me afërsisht 48%, dhe Greqia, me rreth 47%.
Shqipëria është e rrethuar nga dete, liqene dhe Alpe mahnitëse, por më shumë se gjysma e familjeve në vendin tonë nuk kanë mundësi financiare të përballojnë një javë pushime në vit larg banesës së tyre, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me nivelin më të lartë të privimit ekonomik në Europë. Sipas të dhënave të Eurostat, që për Europën i përkasin vitit 2025, ndërsa për Shqipërinë vitit 2023, rreth 53% e familjeve në Shqipëri nuk mund të përballojnë një javë pushime. Shqipëria renditet e dyta, pas Rumanisë, ku kjo përqindje kalon 60%. Pas Shqipërisë renditen Turqia, me rreth 51%, Maqedonia e Veriut, me afërsisht 48%, dhe Greqia, me rreth 47%. Të dhënat tregojnë se pamundësia për të bërë pushime është veçanërisht e përhapur në vendet e Europës Juglindore dhe në ekonomitë me të ardhura më të ulëta. Në këtë tregues, Shqipëria paraqitet shumë më dobët edhe se vendet e rajonit. Në Serbi, rreth 36% e familjeve nuk mund të përballojnë pushimet, ndërsa në Bullgari dhe Hungari përqindja arrin në afërsisht 39%. Italia regjistron një nivel prej rreth 36%, ndërsa Portugalia, Kroacia dhe Spanja luhaten në intervalin 32–33%. Mesatarja e Bashkimit Europian është rreth 27%, pothuajse sa gjysma e nivelit të regjistruar në Shqipëri. Kjo do të thotë se pamundësia për të kryer një javë pushime prek proporcionalisht gati dy herë më shumë familje shqiptare sesa në BE. Në vendet me të ardhura më të larta, përqindja është dukshëm më e ulët. Në Gjermani dhe Irlandë, rreth një në pesë familje nuk mund të përballojë pushimet, ndërsa në Holandë dhe Suedi niveli zbret në rreth 12–13%. Përqindjet më të ulëta regjistrohen në Zvicër dhe Norvegji, ku më pak se 10% e familjeve nuk kanë mundësi të kryejnë një javë pushime, si dhe në Luksemburg, me rreth 11%. Pozicioni i Shqipërisë reflekton nivelin e ulët të të ardhurave të familjeve dhe hapësirën e kufizuar që mbetet për shpenzime jo të domosdoshme, pasi përballohen kostot e ushqimit, strehimit, energjisë dhe transportit. Edhe pse pushimet nuk konsiderohen shpenzim bazë, pamundësia për t’i financuar ato përdoret si një tregues i rëndësishëm i standardit të jetesës dhe i privimit material. Treguesi i Eurostat nuk mat nëse një person ka shkuar realisht me pushime, por nëse familja ka mundësi financiare të paguajë një javë larg shtëpisë. Pushimet mund të bëhen brenda ose jashtë vendit. Nëse një familje zgjedh të mos udhëtojë për arsye personale, ajo nuk konsiderohet automatikisht e privuar.