Ylli Pjetërnikaj hyn në garën për Prokuror të Përgjithshëm

Ylli Pjetërnikaj hyn në garën për Prokuror të Përgjithshëm

Pikat kryesore

  • Konkurrimit për postin e Prokurorit të Përgjithshëm i është shtuar dhe një tjetër emër në garë.
  • Ylli Pjetërnikaj ka dorëzuar dokumentacionin pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke u bërë kandidati i tretë që shpreh interesin për të drejtuar organin e akuzës për mandatin e ardhshëm.
  • Pjetërnikaj është prokuror me një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe aktualisht ushtron edhe detyrën e pedagogut në Shkollën e Magjistraturës.

Konkurrimit për postin e Prokurorit të Përgjithshëm i është shtuar dhe një tjetër emër në garë. Ylli Pjetërnikaj ka dorëzuar dokumentacionin pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke u bërë kandidati i tretë që shpreh interesin për të drejtuar organin e akuzës për mandatin e ardhshëm. Pjetërnikaj është prokuror me një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe aktualisht ushtron edhe detyrën e pedagogut në Shkollën e Magjistraturës. Ai mban gradën akademike Doktor i Shkencave në fushën e së drejtës, ndërsa gjatë karrierës së tij ka mbajtur disa poste në struktura të ndryshme të Prokurorisë. Ai ka shërbyer si prokuror në Prokuroritë e Kukësit, Lezhës, Tiranës dhe Shkodrës, ku ka mbajtur edhe funksionin e drejtuesit të Prokurorisë. Eksperienca e tij në drejtimin e institucioneve të akuzës dhe në fushën akademike janë ndër elementët kryesorë të profilit të tij profesional. Për postin e Prokurorit të Përgjithshëm kanë paraqitur kërkesën për të hyrë në garë edhe dy emra të tjerë. Bëhet fjalë për prokurorin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Adnan Xholi, si dhe prokuroren pranë Prokurorisë së Tiranës, Rovena Zotaj. Procesi i përzgjedhjes zhvillohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili pas verifikimit të kritereve ligjore do të shqyrtojë kandidaturat dhe do t’i rendisë ato për t’ia dërguar më pas Kuvendit. Sipas procedurës, Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga Kuvendi me shumicë të cilësuar. Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm aktual, Olsian Çela, përfundon në dhjetor të këtij viti. Ai u zgjodh në këtë detyrë në vitin 2019, me një mandat 7-vjeçar, dhe pas përfundimit të tij do të nisë procesi për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Përgjithshme. Afati për dorëzimin e kandidaturave për postin e Prokurorit të Përgjithshëm përfundon më 1 gusht, në orën 00:00. Deri atëherë pritet të paraqiten edhe kandidatë të tjerë. Më pas, KLP-ja deri më 14 gusht do të verifikojë nëse kandidatët që shprehin interes, i plotësojnë kushtet ligjore. Gara për këtë post pritet të jetë një nga proceset më të rëndësishme për sistemin e drejtësisë, duke qenë se Prokurori i Përgjithshëm ka rol kyç në drejtimin e politikave të ndjekjes penale dhe në koordinimin e punës së prokurorive në të gjithë vendin.

Lini një Përgjigje