Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Astirit në Tiranë, ku një edukatore e kopshtit privat “Gledis” është shpallur në kërkim nga policia.
Ngjarja u bë publike pas një denoncimi të bërë nga një prind, i cili pretendon se 46-vjeçarja, me inicialet R. G., ka dhunuar djalin e tij të mitur. Menjëherë pas këtij denoncimi, edukatorja është pushuar nga puna nga pronari i kopshtit.
Sipas policisë, “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori dhe po punojnë për kapjen e shtetases R. G., 46 vjeçe.”
Materialet procedurale tashmë janë dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës për hetime të mëtejshme. Autoritetet janë në kërkim të edukatores, ndërsa pritet që ngjarja të hetohet për të zbardhur të gjitha detajet dhe për të marrë masat e duhura ligjore.
Ngjarja ka ngjallur reagime të forta në komunitet, ndërsa prindërit kanë shprehur shqetësimin për sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve në institucionet arsimore private.
#euronews.al