Pikat kryesore
- Analisti Lorenc Vangjeli, në emisionin “Trialog”, ka folur për gjendjen e demokracisë në Shqipëri, duke e lidhur atë ngushtë me funksionimin e brendshëm të partive kryesore politike.
- Ai theksoi se nëse këto sjellje do të ishin ndjekur nga politikanë të tjerë, ata do të ishin penalizuar shumë më herët, ndërsa në rastin e Berishës kjo nuk ka ndodhur në të njëjtën mënyrë.
- „Demokracia në Shqipëri kushtëzohet në mënyrë të jashtëzakonshme, madje është produkt i drejtpërdrejtë i demokracisë së brendshme të dy partive kryesore.
Analisti Lorenc Vangjeli, në emisionin “Trialog”, ka folur për gjendjen e demokracisë në Shqipëri, duke e lidhur atë ngushtë me funksionimin e brendshëm të partive kryesore politike. Duke komentuar figurat politike, Vangjeli u ndal te kryeministri Sali Berisha, duke thënë se mënyra e tij e komunikimit dhe qëndrimeve publike ka krijuar një model sjelljeje që, sipas tij, ka ndikuar edhe tek aktorë të tjerë politikë. Ai theksoi se nëse këto sjellje do të ishin ndjekur nga politikanë të tjerë, ata do të ishin penalizuar shumë më herët, ndërsa në rastin e Berishës kjo nuk ka ndodhur në të njëjtën mënyrë. „Demokracia në Shqipëri kushtëzohet në mënyrë të jashtëzakonshme, madje është produkt i drejtpërdrejtë i demokracisë së brendshme të dy partive kryesore. Për fat të keq, edhe publiku është mësuar me këtë metodologji, për aq kohë sa ai nuk është ndëshkuar. Që herët duket sikur për Sali Berisha ka një qasje tjetër qëndrimi. Sikur një politikan i çfarëdoshëm të kishte pasur jo serinë e pafundme të “faulleve” të tilla si Sali Berisha, apo qëndrimet e ndryshme të tij ndaj të njëjtit individ, në momentin që do t’i kishin mbaruar interesat ndaj këtij individi, ky i fundit do të ishte larguar prej tij. Sa kohë që Berisha është një ekzemplar i kësaj mënyre të foluri dhe komunikimi në publik, edhe të tjerët që nuk kanë mbetur pas tij, kam përshtypjen se asnjë nga politikanët shqiptarë nuk i ka shpëtuar këtij tundimi, që sipas interesit i thotë të bardhës së zezë ose anasjelltas“, tha Vangjeli. Për Vangjelin, cilësia e demokracisë në Shqipëri mund të kuptohet vetëm duke parë demokracinë e brendshme të partive politike, veçanërisht të dy forcave kryesore në vend. „Nëse do të duhet të shikonim cilësinë e demokracisë në Shqipëri, do të duhet të shikonim cilësinë e demokracisë në partitë politike të vendit, kryesisht ato kryesore, pasi ato të voglat kanë të njëjtët kryetarë, por nuk i llogarit njeri“, tha Vangjeli.