Sapo kishte regjistruar vajzën në shkollë, babai i tre fëmijëve u përplas për vdekje në vijat e bardha në qytetin e Fierit, nga një 17-vjeçar me “Range Rover” i cili lëvizte me shpejtësi mbi 100 km/h, jashtë rregullave të qarkullimit rrugor.
Për shkak të dëmtimeve të rënda, pas 8 ditësh në koma, 35-vjeçari humbi jetën në spitalin e Traumës.
Kreshnik Tomani ishte shpërngulur nga fshati në qytet për t’i bërë realitet ëndrrën vajzës së tij, talent në muzikë.
Nikita, vetëm 10 vjeçe ka vjedhur zemrat e mijëra shpiqtarëve me zërin e saj brilant teksa këndon këngët labe.
Autori, i arrestuar disa orë pas ngjarjes, do të përballet me drejtësinë për akuzat “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, ndërsa ishte në timon pa patentë.
Ekspertët ngrenë alarmin dhe kërkojnë ashpërsim të ligjit për prindërit apo personat të cilat iu lënë makinat për përdorim individëve që nuk janë të pajisur me leje drejtimi.
Tashmë Nikita, do duhet të bëjë realitet ëndrrën e prerë në mes të babit, që një ditë e bija të bëhet këngëtare e madhe.