Pikat kryesore
- Në seancën plenare të sotme në Kuvend, Partia Socialiste ka tërhequr nga rendi i ditës projektvendimin për ndryshimet në përbërjen e Komisionit të Reformës Territoriale.
- “E heqim nga rendi i ditës ndryshimet në Komisionin e Reformës Territoriale!
- Do vijojë puna në Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale”, u shpreh Balla gjatë seancës.
Në seancën plenare të sotme në Kuvend, Partia Socialiste ka tërhequr nga rendi i ditës projektvendimin për ndryshimet në përbërjen e Komisionit të Reformës Territoriale. Lajmin e bëri të ditur nga foltorja kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili deklaroi se mazhoranca ka vendosur heqjen e këtij pike nga rendi i ditës, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi arsyet e kësaj lëvizjeje. “E heqim nga rendi i ditës ndryshimet në Komisionin e Reformës Territoriale! Do vijojë puna në Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale”, u shpreh Balla gjatë seancës. Vendimi u shoqërua me reagime nga opozita. Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, kërkoi që mazhoranca të mos mjaftohet vetëm me heqjen e pikës nga rendi i ditës, por të tërhiqet plotësisht nga ndryshimet e propozuara në Komisionin e Reformës Territoriale. “Duhet të tërhiqeni nga ndryshimet në Komisionin e Reformës Territoriale, jo thjesht ta hiqni nga rendi i ditës! Tërheqja tregon vullnetin, shtyrja nuk tregon asgjë.”, u shpreh Boçi, duke theksuar se opozita e konsideron këtë proces të njëanshëm.