A mund të ngrihet një akuzë penale nga “sugjerimi” i gjykatës dhe jo nga bindja e…

A mund të ngrihet një akuzë penale nga “sugjerimi” i gjykatës dhe jo nga bindja e…

Pikat kryesore

  • Prej më shumë se 2 vitesh po përballem me një procedim penal në GJKKO.
  • Gjatë këtij procesi ka dalë një problem shumë serioz, që sipas meje prek jo vetëm çështjen time, por vetë standardin e KEDNJ dhe kushtetues të procesit të rregullt ligjor në Shqipëri.
  • Në pamje të parë kjo mund të duket si çështje teknike procedurale.

Prej më shumë se 2 vitesh po përballem me një procedim penal në GJKKO. Gjatë këtij procesi ka dalë një problem shumë serioz, që sipas meje prek jo vetëm çështjen time, por vetë standardin e KEDNJ dhe kushtetues të procesit të rregullt ligjor në Shqipëri. Bëhet fjalë për nenin 332/d, pika 3 të Kodit të Procedurës Penale, dispozitë që i jep gjyqtarit të seancës paraprake të drejtën të ftojë prokurorin të korrigjojë ose saktësojë akuzën kur vlerëson se cilësimi juridik është i gabuar ose akuza nuk është formuluar qartë. Në pamje të parë kjo mund të duket si çështje teknike procedurale. Në të vërtetë, nuk është. Është çështje themelore për ndarjen mes rolit të prokurorit dhe rolit të gjykatës. Çfarë ka ndodhur në rastin tim? Në procedimin penal nr. 13/2020 të SPAK, unë jam hetuar për disa vepra penale. Më 17 mars 2024 më është njoftuar me shkrim akuza për “shpërdorim detyre”. Më pas, në seancën paraprake të datës 23.12.2024, gjyqtarja e seancës paraprake vlerësoi se cilësimi juridik i akuzës nuk ishte i saktë dhe parashtroi një cilësim tjetër: “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, së bashku me elemente të rinj në arsyetim e saj. Pra, sipas deklarimeve të vetë organit të akuzës, akuza e re nuk ishte produkt i bindjes së prokurorit, por pasojë e mekanizmit procedural të nenit 332/d, pika 3. Ku qëndron problemi? Kushtetuta e Shqipërisë është e qartë. Prokuroria ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në gjyq, në emër të shtetit. Po ashtu, neni 34 i Kodit të Procedurës Penale parashikon se një person merr cilësinë e të pandehurit me aktin e njoftimit të akuzës, dhe kur akuza ndryshon, është prokurori ai që duhet të marrë vendim dhe t’ia njoftojë të pandehurit. Edhe Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në nenin 6, kërkon që çdo i akuzuar të informohet në mënyrë të hollësishme për natyrën dhe shkakun e akuzës. Në rastin tim, kjo nuk ka ndodhur.

Lini një Përgjigje