
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) ka hapur një tender me vlerë 10 mijë euro për shërbimin e larjes së automjeteve të institucionit deri në fund të vitit 2025. Tenderi përfshin 10 automjete, përfshirë edhe Audi A8 të ministrës dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila ka kërkuar që automjeti i saj të lahet 12 herë në muaj – më shpesh se çdo automjet tjetër i ministrisë.
Sipas dokumenteve të tenderit, orari i larjes është i përcaktuar në mënyrë rigoroze, nga ora 07:00 deri në 09:00 çdo ditë të javës, dhe çdo makinë nuk duhet të presë më shumë se 30 minuta për shërbimin e larjes. Përveç larjes së jashtme me solucion pa furçë, përfshihet edhe pastrimi i brendshëm me fshesë me kompresor.
Për t’u kualifikuar për këtë tender, shërbimi i larjes duhet të ndodhet brenda qytetit të Tiranës, jo më larg se 2 km nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Po ashtu, shërbimi duhet të ketë të paktën 3 poste larjeje dhe 4 punonjës, dhe të ofrojë shërbime edhe në oraret e pasdites dhe të shtunave. Përveç larjes së rregullt, është parashikuar që të bëhet larja e tapicerisë 10 herë në vit për 10 makinat e ministrisë.