Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut protestojnë për gjuhën shqipe, i mbështet edhe…

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut protestojnë për gjuhën shqipe, i mbështet edhe…

Bebe Rexha ka reaguar publikisht në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedonia e Veriut, duke i dhënë jehonë ndërkombëtare protestës së paralajmëruar për të drejtat e gjuhës shqipe në universitet.

Përmes një postimi në InstaStory, artistja me famë botërore ndau thirrjen për marshimin e madh të 18 majit dhe shprehu hapur solidaritetin e saj me studentët shqiptarë, të cilët po protestojnë kundër ndalimit të zhvillimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Me një mesazh të fortë dhe emocional, Bebe Rexha theksoi rëndësinë që ka gjuha amtare për identitetin kombëtar dhe historinë e shqiptarëve.

“Gjuha jonë shqipe është thellësisht e rrënjosur në identitetin tonë. Për breza me radhë, kemi luftuar ta ruajmë dhe ta mbajmë gjallë,” – shkroi ajo.

Artistja kujtoi gjithashtu se Maqedonia e Veriut është një shtet multietnik, i ndërtuar mbi bashkëjetesën dhe të drejtat e barabarta të komuniteteve, ku gjuha shqipe njihet zyrtarisht si gjuhë bashkëzyrtare.

Në reagimin e saj, ajo mbështeti kërkesën e studentëve që provimi i jurisprudencës të mundësohet në gjuhën shqipe, duke theksuar se studentët shqiptarë duhet të kenë të njëjtat të drejta dhe mundësi si të gjithë të tjerët.

“Studentët shqiptarë meritojnë të njëjtat të drejta dhe mundësi si të gjithë të tjerët,” – u shpreh këngëtarja.

Postimi i saj ka marrë menjëherë vëmendje të madhe në rrjetet sociale dhe media, ndërsa shumë ndjekës e kanë vlerësuar faktin që një figurë me ndikim global si Bebe Rexha ka zgjedhur të përdorë zërin e saj për një çështje që prek komunitetin shqiptar.

Mbështetja e artistes konsiderohet si një shtysë e fortë për kauzën e studentëve, pasi i ka dhënë protestës përmasa më të mëdha ndërkombëtare dhe ka rikthyer në qendër të debatit çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet arsimore të vendit.

Ndërkohë, protesta e paralajmëruar për 18 maj pritet të mbledhë studentë dhe qytetarë të shumtë, të cilët kërkojnë garantimin e të drejtës për të zhvilluar provimin e jurisprudencës në gjuhën amtare.

Lini një Përgjigje