Sali Berisha, “neni Basha” dhe përpjekja e radhës për të mbajtur peng PD-në

Sali Berisha, “neni Basha” dhe përpjekja e radhës për të mbajtur peng PD-në

Pikat kryesore

  • Megjithatë, rizgjedhja e Berishës nuk do të jetë aq e qetë sa mund të duket në sipërfaqe.
  • Në statutin e PD-së, i hartuar, me një ironi të plotë, nga vetë Berisha, ekziston një dispozitë (neni 46 i statutit) e njohur zakonisht si “neni Basha”, por që sot i rikthehet autorit të saj si bumerang.
  • Formulimi është i qartë dhe pa ekuivok: kush humb zgjedhjet, largohet automatikisht nga detyra dhe nuk mund të kandidojë më.

Sali Berisha, në muajt e fundit, para “rizgjedhjes” ka ndjekur me një sistematizëm të ftohtë një strategji të vetme:vetëpërjashtimin e atyre që nuk i binden, përjashtimin e drejtpërdrejtë të të tjerëve, organizimin e protestave pa synim real politik — thjesht për të mpirë demokratët dhe për t’i mbajtur larg çdo guximi për të thënë të vërtetën e hidhur për të — dhe, si përfundim i gjithë kësaj, ecjen drejt një gare pa kundërshtar. Një arkitekturë e pastër frike dhe jo fitoreje. Megjithatë, rizgjedhja e Berishës nuk do të jetë aq e qetë sa mund të duket në sipërfaqe. Në statutin e PD-së, i hartuar, me një ironi të plotë, nga vetë Berisha, ekziston një dispozitë (neni 46 i statutit) e njohur zakonisht si “neni Basha”, por që sot i rikthehet autorit të saj si bumerang. Formulimi është i qartë dhe pa ekuivok: kush humb zgjedhjet, largohet automatikisht nga detyra dhe nuk mund të kandidojë më. Nuk parashikohet asnjë procedurë ankimimi, asnjë hapësirë interpretimi, asnjë mundësi shmnagie. Është një verdikt pa apel. Dhe pikërisht këtu historia merr një kthesë ironike, nga ato që vetëm koha di t’ua rezervojë atyre që besojnë se janë mbi rregullat. Vetë Berisha, në vitin 2013, kishte deklaruar me solemnitet: “mon départ est sans retour”. Ikja ime është pa kthim. Në atë kohë ishte një frazë retorike, sepse largimi varej nga vullneti i tij dhe ai e dinte këtë. Sot, me statutin që ai vetë ka hartuar, ajo frazë është shndërruar në normë juridike. Kthimi apo mosrikthimi nuk është më çështje vullneti por është çështje zbatimi të rregullave. Edhe kur rregullat shpërfillen, ato vazhdojnë të ekzistojnë dhe të prodhojnë pasoja: ligjore, politike dhe morale. Akti i parë tashmë është vënë në lëvizje. Kandidatja Alesia Balliu ka depozituar një kërkesë formale, të thjeshtë dhe pa ndërlikime të panevojshme teknike: zbatimin e statutit. Është e rëndësishme të theksohet natyra e kësaj nisme juridike. Pa zhurmë, pa spektakël, pa kërkim audience. Me këmbëngulje të lavdërueshme që do ia kishte zili dhe vetë Berisha. Kërkon thjesht zbatim të rregullave ashtu siç janë shkruar. Në vetvete, pavarësisht rezultatit, ky akt përbën një leksion të parë dhe simbolikisht të fuqishëm kundër Berishës: rregullat dhe institucionet, edhe në parti, respektohen, para se t’i drejtohesh gjykatës. Megjithatë, realiteti i brendshëm i PD-së nuk lë shumë hapësirë për optimizëm naiv. Kërkesa e Balliut, me shumë gjasë, ka rënë në vesh të shurdhër. Ndoshta është hedhur në kosh që ditën e parë, si një dokument që më mirë të mos preket fare. Mëkëmbësi i Berishës, Flamur Noka, vështirë se mund të përfytyrohet si rojtar i statutit. Dhe kjo nuk është për t’u habitur: në një parti ku institucionet ekzistojnë formalisht, dhe funksionojnë si dekor, ku rregullat shkruhen për t’u shkelur fare pa elegance, pritshmëria për zbatim vullnetar është, në rastin më të mirë, një formë naiviteti. Kryesia e partisë, nga ana e saj, nuk duket se do marrë peshën e përgjegjësisë që i takon. Ajo është e përbërë nga dy grupime. I pari përfaqëson oportunistët që iu bashkuan vonë Berishës, që nënqeshin hidhur me vuajtjet e demokratëve dhe ndaj këtyre situatave groteske në pritje që partia të bjerë ne duart e tyre pas ikjes natyrale të Berishës. Mund të ndjejnë se diçka nuk shkon, madje mund ta dinë, por nuk kanë as kapacitetin intelektual dhe as guximin për t’ia thënë liderit të tyre, situatën deri dhe qesharake ku po zhytet kapiteni dhe anija e tyre me flamuj te rreckosur.

Lini një Përgjigje