Policia e Fierit ka goditur një rast të ushtrimit të paligjshëm të aktivitetit të këmbimit valutor, duke arrestuar tre persona që dyshohet se operonin pa licencën përkatëse në Fier dhe Lushnjë.
Në pranga kanë rënë shtetasit Ramazan Koçiu, Edmond Shkurti dhe Abaz Idrizi, të cilët sipas hetimeve paraprake ushtronin aktivitetin e këmbimit valutor pa autorizimin e organeve kompetente.
Gjatë kontrollit fizik ndaj tyre, si edhe gjatë kontrolleve në banesat përkatëse, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një shumë të konsiderueshme parash, konkretisht 4 200 000 lekë, 17 300 euro, 1 400 paund, 300 dollarë, 200 franga dhe 2 500 korona, si edhe 5 telefona celularë.
Në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast, është proceduar penalisht edhe një shtetas 67-vjeçar, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një shumë e vogël parash që dyshohet se ishte përfituar nga këmbimi i kundërligjshëm valutor.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve të mëtejshme, për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.