Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se sot fillon periudha për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta në kuadër të zgjedhjeve lokale, të cilat do të zhvillohen më 12 tetor. Në përpjekje për të siguruar pjesëmarrjen e këtyre votuesve, KQZ do të angazhojë ekipe mobile në të gjitha komunat e Kosovës gjatë ditës së zgjedhjeve.
Procesi i regjistrimit dhe evidentimit për votuesit me nevoja të veçanta ka nisur, ndërsa për ata me lëvizje të kufizuar në institucione, regjistrimi do të fillojë më 15 shtator. Votuesit mund të regjistrohen përmes platformës elektronike të KQZ-së, ose fizikisht në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse.
Për ata që për arsye sigurie nuk kanë mundësi të votojnë në vendvotim, regjistrimi mund të bëhet gjithashtu përmes platformës elektronike, si dhe duke kërkuar ndihmën e Komisionit Komunal. KQZ, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të evidentojë gjithashtu qytetarët që ndodhen nën masën e arrestit shtëpiak.
Regjistrimi i votuesve me lëvizje të kufizuar në institucione do të vazhdojë deri më 2 tetor 2025. Këta votues përfshijnë ata që janë në hospitalizim, të moshuarit në shtëpitë e kujdesit, si dhe individët që ndodhen në institucione të shëndetit mendor ose në burg. Votuesit që janë të evidentuar në këto institucione do të merren parasysh si votues të regjistruar dhe kanë mundësi të regjistrohen individualisht përmes platformës elektronike të KQZ-së.