Në përvjetorin e 35-të të shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e vlerësoi këtë dokument si një manifest të guximit politik dhe besimit në lirinë e vendit. Ajo theksoi se Kushtetuta e Kaçanikut përbën bazën mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.
"Më 7 shtator 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, një akt të jashtëzakonshëm guximi dhe besimi në lirinë tonë. Kjo Kushtetutë ishte shkëndija që mbajti gjallë shpresën dhe qëndresën, dhe shërbeu si themel për ngritjen e Republikës së Kosovës," deklaroi Osmani.
Ajo e përshkroi këtë akt si më shumë se një thjesht dokument juridik, duke e konsideruar si një betim për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në mesin e kombeve të tjera të lira. "Sot, nderojmë ata që guxuan të rrezikojnë gjithçka për lirinë tonë dhe vazhdojmë me krenari rrugën që ata e hapën," përfundoi Presidentja Osmani.