Referendumi i PD-së: Kur alternativa ka frikë nga alternativa

Referendumi i PD-së: Kur alternativa ka frikë nga alternativa

Pikat kryesore

  • Thuhet se netët e fundit në Surrel kanë qenë të mbushura me një ankth ekzistencial dhe se aromaterapia me kamomil nuk po bën më derman.
  • Burime konfidenciale pranë oborrit të padishahut pëshpëritin se Edi Kryeministri po kalon orë të tëra duke parë i tmerruar nga dritarja, me duart që i dridhen teksa mban filxhanin e 15-të të kafesë.
  • Arsyeja e këtij tmerri nuk janë raportet e DASH-it, as hetimet e SPAK-ut dhe as ndonjë krizë ekonomike vendase apo globale.

Thuhet se netët e fundit në Surrel kanë qenë të mbushura me një ankth ekzistencial dhe se aromaterapia me kamomil nuk po bën më derman. Burime konfidenciale pranë oborrit të padishahut pëshpëritin se Edi Kryeministri po kalon orë të tëra duke parë i tmerruar nga dritarja, me duart që i dridhen teksa mban filxhanin e 15-të të kafesë. Arsyeja e këtij tmerri nuk janë raportet e DASH-it, as hetimet e SPAK-ut dhe as ndonjë krizë ekonomike vendase apo globale. Rama po kalon netë të bardha sepse sot po përballet me “Cunamin e Madh Popullor” të referendumit brenda Partisë Demokratike. Suksesi plebishitar i një procesi ku kandidati i vetëm po fiton me një diferencë dërrmuese ndaj askujt, me sa duket, ka për të shkundur themelet e regjimit të tij. Në zyrat e propagandës së Rilindjes janë në panik total sepse nuk dinë si të sulmojnë një model ku nuk ka debate ku të ngecesh, as platforma që përplasen dhe as rivalë që nxjerrin sekrete. PD-ja po tregon një ripërtëritje të tillë të frymës demokratike sa ka bërë xheloze edhe partitë më të vjetra të kontinentit. Ky legjitimitet i ri, i fituar në një garë me veten ku triumfi ishte i pashmangshëm, ka krijuar një energji aq të madhe sa vërtet nuk ka kush e mban më partinë kryesore opozitare në vend. Nëse sulmi me dash mesjetar tek porta e kalasë së SHQUP-it para disa vitesh ishte “demokracia e aplikuar me forcë fizike”, referendumi i sotëm me një kandidat është kulmi absolut i perfeksionit të tyre politik. Ky lidership i “rifreskuar” arriti të kalojë me sukses nga rrethimet mesjetare te votimet pa kundërshtar, duke vendosur një rekord të ri që vërtet e bën partinë të meritojë emrin “Demokratike”. Mesazhi për Ramën është i qartë; nëse opozita vazhdon të votojë veten me këtë unitet të çeliktë, Kryeministri do të detyrohet të dorëzojë çelësat e zyrë, në mos nga frika, me siguri nga shpërthimi i të qeshurave që ky teatër kukullash po dhuron çdo ditë.

Lini një Përgjigje