Raport i ri me drejtësinë, jo me pavarësinë Përshëndetje Siç e tha kryetari

Raport i ri me drejtësinë, jo me pavarësinë Përshëndetje Siç e tha kryetari

Pikat kryesore

  • Rreziku që ne të bëhemi irelevantë, është real dhe kur them ne, kam parasysh vendin tonë, ndërkohë që jemi me relevantë se asnjëherë dhe mund të bëhemi edhe më relevantë.
  • Gjithsesi ajo që është më e rëndësishmja është që në këtë udhëkryq, ne kemi fatmirësisht në dorë për një busull që është e pagabueshme, që është Shqipëria në BE.
  • Dhe sot, në 26 shkurt, ne jemi më afër anëtarësimit dhe ketë e them faktikisht jo metaforikisht sesa ç‘ishim fjala vjen në 26 janar apo lëre pastaj, në 26 shtatorin apo tetorin e vitit të shkuar.

Përshëndetje! Siç e tha kryetari i grupit, sot jemi në këtë mbledhje të posaçme të fundmuajit, ku këtë radhë do të jetë qeveria që do të raportojë përpara grupit dhe duke qenë se temat e posaçme që lidhen me çdo sektor, do të trajtohen nga ministrat përkatës, unë dëshiroj të ndaj këtu me ju, duke përfituar dhe nga prania e publikut dhe veçanërisht zgjedhësve tanë përmes mediave, opinionin që kam krijuar lidhur me situatën komplekse ku ndodhemi, jo thjesht ne, shumica qeverisëse, por vendi ynë sot. Pas një fitoreje historike të zgjedhjeve nga ana jonë rreth 9 muaj më parë, pas çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave të anëtarësimit në BE, në një kohë rekord për historinë e integrimeve evropiane, si edhe pas zhvillimeve qe lidhen sa me ecurinë dhe me fatin e reformës historike në drejtësi, aq edhe me rrugën e rritjes ekonomike, qëndrueshmërisë politike dhe shtetbërjes demokratike për Shqipërinë 2023 në BE. Për hir të së vërtetës, unë besoj që duhet të shohim së bashku, se jemi në një udhëkryq të ri, ndërkohë që ekonomia vazhdon të ecë me ritmet e parashikuara, duke afirmuar një rritje të qëndrueshme, e cila për nga kohëzgjatja e saj në harkun e këtyre 35 viteve, është e pakrahasueshme me asnjë periudhë të mëparshme, ndërkohë që Shqipëria vazhdon të shkëlqejë ndërkombëtarisht si asnjëherë më parë, duke u vlerësuar dhe duke u respektuar në çdo forum dhe instancë të marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërkohë që projektet në zhvillim, në hartim e sipër apo në plan për t’u hartuar dhe zhvilluar në këtë mandat, janë më të shumta dhe më domethënëse për nga impakti se kurrë më parë, udhëkryqi ku ne ndodhemi sot, paraqet sipas meje, disa rreziqe, të cilat kërkojnë një kuptim të drejtë, një adresim të vendosur dhe një disiplinë të fortë nga ana jonë dhe kur them nga ana jonë, kam parasysh në radhë të parë ne këtu, deputetë, deputete, ministre, ministra sepse përndryshe, Shqipëria rrezikon të bëjë në vendnumëro, duke humbur kohën më të çmuar dhe mundësitë më të mëdha që ka pasur ndonjëherë në dispozicion për të ngjitur më në fund aty ku prej dekadash, shekujsh e kërkon amaneti i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit dhe ku patjetër e meritojnë fëmijët tanë dhe gjeneratat e tjera dhe çdo vendnumëro për Shqipërinë sot është rënie e trendit të rritjes ekonomike dhe i fuqisë se vendit nesër për të vazhduar të jetë tërheqës, të jetë dinamik dhe të jetë i respektuar ndërkombëtarisht. Rreziku që ne të bëhemi irelevantë, është real dhe kur them ne, kam parasysh vendin tonë, ndërkohë që jemi me relevantë se asnjëherë dhe mund të bëhemi edhe më relevantë. Pse i them këto? Le ta nisim së pari dhe si gjithnjë nga vetja sepse e vërteta është që ky nuk është një udhëkryq dilemash strategjike apo raportesh të ndryshuara të forcave po është një udhëkryq mjegullash botëkuptimore dhe erërash artificiale që rrezikojnë të na mpijnë, të na çorodisin dhe të na ngatërrojnë pastaj me këmbët tona, gjë që ka ndodhur më parë dhe u ka ndodhur më parë, jo vetëm këtu, por edhe në të tjera vende, partive të mëdha kur ka ngatërruar sensin e madhësisë dhe të forcës së tyre me thellësinë e sfidave dhe peshën e përgjegjësisë së tyre. Sot, po sprovohet faktikisht aftësia jonë udhëheqëse, pjekuria politike dhe shoqërore, e para e familjes sonë politike, po edhe e krejt vendit, pikërisht kur duhet të ngjitemi ende më lart dhe kur tanimë diferencën midis pikës ku jemi dhe pikës ku duam të mbërrijmë, e bën çdo detaj dhe e bën çdo ditë nga mënyra se si ne e shfrytëzojmë ditën. Nuk është e lehtë të ngjitesh nga një humnerë dhe të vish në një normalitet, gjë që ne e bëmë me shumë vështirësi, por është edhe më e vështirë që të ngjitesh më lart sot dhe po të shohësh edhe dinamikën edhe natyrën e sfidave në procesin e negociatave, kjo bëhet edhe më evidente sepse çdo hap i ri, vjen me një sfidë të re më komplekse sesa ajo e mëparshmja dhe për këtë duhet shumë përgatitje dhe shumë forcë. Gjithsesi ajo që është më e rëndësishmja është që në këtë udhëkryq, ne kemi fatmirësisht në dorë për një busull që është e pagabueshme, që është Shqipëria në BE. Dhe sot, në 26 shkurt, ne jemi më afër anëtarësimit dhe ketë e them faktikisht jo metaforikisht sesa ç‘ishim fjala vjen në 26 janar apo lëre pastaj, në 26 shtatorin apo tetorin e vitit të shkuar. Dhe e përsëris, kjo nuk është letërsi, ky është fakt sepse e tillë është shpejtësia me të cilën po ecim në at proces, falë volumit të madh të punës që po bëjmë se bashku sepse për shembull, së bashku në fund të janarit, pas një pune vërtetë të jashtëzakonshme kaluam në Kuvend një ‘’masiv‘’ të tërë ligjesh dhe amendimesh që ishin kryekëput të lidhura, pikërisht procesin në fjalë dhe të tjera ‘’masivë’’ na presin më tutje. Aktualisht tani që flasim, ne kemi rritur hyrjen në kapitullin e ri të procesit që është vlerësimi dhe pastaj marrja e dritës jeshile për ato që quhen pikat e ndërmjetme, të cilat janë sipas drejtueseve tona në këtë proces, një test i vështirësisë shumë të lartë dhe kërkojnë një përgatitje shumë të lart të vendit. Për të tjerët para nesh për shembull janë dashur edhe vite për të kaluar testin e piketave të ndërmjetme. Për planin tonë ky test duhet kaluar në disa muaj dhe kjo do forcë. Dhe forcë në këtë rast do të thotë përqendrim i të gjitha forcave në një drejtim. Unë jam besimplotë, që ne do ta kalojmë dhe këtë test dhe edhe pavarësisht shkopinjve nën rrota dhe tymit të bombave artizanale dhe këtu nuk e kam fjalën thjesht për ato që plasin rrugëve të dëshpërimit të pangushëllueshëm opozitar por e kam për të gjitha ato bomba artizanale që plasin përditë e përditë duke hedhur përpjete kapakët e 700 tenxhereve mediatike të cilat e kanë kthyer mexhlisin e Shqipërisë në pazarin më të neveritshëm të gënjeshtrave me lloj – lloj bishtash. E ka thënë populli thonë qysh se asnjë prej nesh s’kishte lindur akoma, se kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botes, e vërteta s’ka veshur ende pantallonat. Po aso kohe populli s’kishte parë asgjë akoma se s’kishte ardhura ardhur flama e kanaleve dhe portaleve të ujërave të zeza mediatike kurse tenxherja e vetme mediatike ishte tellalli i qytetit. Por ne s’kemi ç’t’i bëjmë as tellall hanes së madhe ku na e solli jeta të jetojmë duke qenë në krye të vendit në një moment kyç të historisë së tij as vrapit të marrë të gënjeshtrave të botës, ndërkohë që në rrezik këtu është përqendrimi ynë në udhëheqjen e vendit. Prandaj duhet ta rrisim me çdo kusht përqendrimin në punët tona të mëdha dhe të vogla, të shtojmë forcat për t’i bërë sa më mirë dhe për t’i komunikuar sa më shumë dhe të përpiqemi dhe me më shumë këmbëngulje të vet korrigjohemi dhe të përmirësohemi dhe këtu bujrum jepni idetë tuaja dhe ndërkohë le të debatojmë këtu së brendshmi, hapur, pa dorashka për sesi gjerat mund dhe duhen bërë më mirë në këtë drejtim, por pasi debatojmë dhe ndajmë me njëri tjetrin opinionet duhet të përqendrohemi në një pikë, ne vetëm një pikë. Një pikë dhe asnjë pikë tjetër. Shqipëria në Bashkimin Europian në vitin 2030. Kur e lexojmë historinë, ne jemi njerëz të zakonshme ndërsa historia flet për njerëz të jashtëzakonshëm. Por edhe ata kur e kanë lexuar historinë përpara tyre kanë qenë njerëz të zakonshëm dhe ka plot të tjerë njerëz të zakonshëm që kanë patur mundësi ta bëjnë historinë dhe nuk figurojnë në librat e historisë sepse nuk e kanë bërë të jashtëzakonshmen që duhet për të bërë histori. Sot, rruga e Shqipërisë dhe yjet që janë bashkuar bashkë e kanë sjellë që ne të jemi me historinë në duart tona dhe ta shkruajmë me mendjen dhe me forcën tonë. Shqipëria në Bashkimin Europian nuk është një tjetër etapë e zhvillimit të vendit. Shqipëria në BE është histori dhe pa diskutim që nuk është e lehtë të përqendrohesh në kushtet kur përtej zhurmës së përditshme dhe të përnatshme të bombave artizanale që plasin në tenxhere, ka filluar dhe një lëvizje sportive prokurorësh lartë e poshtë nëpër Shqipëri të cilët janë turrur në garën për mandatin e ardhshëm të afërt të SPAK duke prerë fletë arreste në tufa për çështje që në rastin më të mirë nuk janë fare çështje penale dhe në rastin më të keq kudo në botën që na rrethon hetohen në gjendje të lirë, siç ishte rasti emblematik i Durrësit ku vetëm prokurori mbeti pa i prerë vetes fletën e arrestit. Ndërkohë që në dhjetëra e dhjetëra fletë të prera nuk u kursye as deri dhe një punonjëse model e shtetit 5 vjet në luftë me kancerin dhe me një fëmijë dy muajsh në gji. Tani me siguri do thonë që sapo ka ndërhyrë në punët e drejtësisë, por ne asnjë mënyrë jo. Unë këtu sot do them një të njëmijtën e atyre që kam në fakt për të thënë për ndërhyrjet, jo vetëm të pajustifikueshme, por dhe të panevojshme të gjyqësorit në punët e ekzekutivit dhe të legjislativit bashkë. Të pajustifikueshme sepse shteti ka tre pushtete të pavarur nga njeri-tjetri dhe nëse njëri prej tyre hyn në punët e tjetrit, shteti nuk funksionon si duhet. Kjo vlen kur pushteti ekzekutiv ndërhyn në punët e pushtetit gjyqësor dhe po njësoj vlen kur pushteti gjyqësor ndërhyn në punët e pushtetit ekzekutiv. Do ta shpjegoj më pas çfarë kam parasysh. Por përpara do të them që pikërisht sepse ne e besojmë që kur Kushtetuta demokratike e Republikës së Shqipërisë dhe të gjitha kushtetutat demokratike të Europës ku duam të bëhemi pjesë, thonë se ka tre pushtete të pavarura dhe këto tre pushtete të pavarura nuk mund të jenë në letër siç ishin deri përpara sesa ne të bënim gjithçka kemi bërë, po duhet të jenë realitet, kjo parti, kjo shumicw qeverisëse i hyri detit në këmbë dhe pas 100 e kusur vitesh shtet shqiptar, ne i dhamë pavarësinë reale pushtetit gjyqësor. Prandaj dhe unë që e kam udhëhequr kokëfortësisht partinë dhe këtë shumicë në rrugën e përpjetë për pavarësimin e gjyqësorit, nuk bëhem kurrë pishman, pavarësisht lloj – lloj bombash artizanale që kur ndizen nga lloj – lloj prokuroresh e gjykatësish lartë e poshtë nëpër Shqipëri, të cilët shija e pavarësisë reale i deh, iu mjegullon arsyen, iu errëson sytë dhe i nis në drejtime që cenojnë pavarësinë e pushteteve të tjera, duke i bërë minimalisht shkelës të lirive dhe të drejtave të njeriut se maksimalisht ka ende shumë më keq, por unë nuk do zgjatem këtu dhe prandaj dhe sot rreziku i udhëkryqit të mjegullt në këtë aspekt nuk është që ekzekutivi apo legjislativi të cenojë pavarësinë e gjyqësorit, po është që gjyqësori të gjymtojë, jo thjeshtë pavarësinë e dy të tjerëve, por aftësinë e dy të tjerëve për të funksionuar dhe kjo ka ndodhur në vende të tjera, nuk është diçka e panjohur në historinë e zhvillimeve të drejtësisë, por kjo nuk mund të ndodhi në këtë vend. Sepse ky vend që është në ngjitje të vazhdueshme, nuk e ka në asnjë mënyrë luksin të frenohet, e jo më pastaj të ribjerë aty ku ishte. Çfarë është përveçse ndërhyrje brutale në territorin e pushteteve të tjera, pezullimi i ministrit nga një prokuror dhe gjykatës me një vendim të një seancë paraprake pa gjyq, i pa ndodhur në historinë e botës. Çfarë është përveçse ndërhyrje gjymtuese në territorin e pushtetit legjislativ, përpjekja e një shoqate përfaqësuesish të gjyqësorit për të rritur pagat e veta me gjyq. Që kur në historinë e republikave me tre pushtete, pushteti gjyqësor llogarit paga dhe përcakton politikat e pagave apo të taksave të një vendi? Por shpresa është që kjo fazë të jetë kalimtare dhe kuturisjet e përsëritura jashtë kornizës kushtetuese dhe ligjore të përfaqësuesve të pushtetit të pavarur gjyqësor të fashiten, sepse në të kundërt as nuk do të kemi dot një gjyqësor, jo vetëm të pavarur, por edhe domosdoshmërisht të paanshëm dhe profesional, po as do të kemi dot një shtet funksional, një administratë publike, e cila të japë më të mirën e vet për performancën e shtetit, pa pasur frikë të marrë vendime, deri dhe për blerjen e letrës higjienike. Ky është fakt, dhe është një nga mijëra faktet që mund të jap, po e zgjodha enkas, sepse është më tragjikomiku i zinxhirit kilometrik të fakteve të prodhuara nga frika, po as do të kemi dot një sipërmarrje të lirë në punën e vet dhe larg qoftë deri dhe një konsumator të çliruar nga frika se mund të bjeri në sy. E përsëris, këto janë leksione që vendet e tjera i kanë nxjerrë me vonesa të caktuara. Ne nuk kemi luksin dhe Shqipëria nuk e ka luksin të vonohet për t’i nxjerrë këto mësime dhe këto rreziqe janë serioze, nuk janë imagjinare, prandaj duhen marrë në konsideratë nga të gjithë, sa nuk e kanë prekur palcën e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, siç ka ndodhur gjetkë kur antikorrupsioni është bërë një kurë më e dëmshme sesa vetë sëmundja e korrupsionit dhe ka mijëra, në mos miliona, po mijëra studime, libra, doktoratura për këtë temë.

Lini një Përgjigje