Plazhe të kristalta, fshatra historike dhe rrënoja antike”, revista prestigjioze sjell…

Plazhe të kristalta, fshatra historike dhe rrënoja antike”, revista prestigjioze sjell…

Pikat kryesore

  • Riviera Shqiptare po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje nga mediat ndërkombëtare të turizmit.
  • Autorja rrëfen përvojën e saj gjatë një udhëtimi njëjavor në Himarë, ku mbeti e impresionuar nga peizazhet natyrore, mikpritja shqiptare dhe qetësia që ofron zona jashtë sezonit turistik.
  • “Plazhi i Livadhit është një nga më të bukurit në rivierë, me guralecë të bardhë, ujëra të kthjellëta dhe kodra të mbuluara me ullinj,” shkruan Calhoun.

Riviera Shqiptare po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje nga mediat ndërkombëtare të turizmit. Revista prestigjioze amerikane “Travel + Leisure” ka botuar një reportazh të shkrimtares Ada Calhoun, e cila e përshkruan bregdetin shqiptar si një nga destinacionet më të bukura dhe ende të pazbuluara të Evropës, duke e cilësuar si një alternativë të përballueshme ndaj Côte d’Azur në Francë. Autorja rrëfen përvojën e saj gjatë një udhëtimi njëjavor në Himarë, ku mbeti e impresionuar nga peizazhet natyrore, mikpritja shqiptare dhe qetësia që ofron zona jashtë sezonit turistik. “Plazhi i Livadhit është një nga më të bukurit në rivierë, me guralecë të bardhë, ujëra të kthjellëta dhe kodra të mbuluara me ullinj,” shkruan Calhoun. Ajo përshkruan gjithashtu rrugën panoramike përmes Qafës së Llogorasë si spektakolare, me pamje mbresëlënëse drejt detit Jon dhe pyjeve me pisha. Në reportazh, autorja viziton Himarën e Vjetër, ku eksploron rrënoja antike dhe kisha historike si ajo e Shën Sergjit dhe Shën Bakut. Një tjetër ndalesë ishte Qeparoi i Sipërm, fshati karakteristik me shtëpi guri dhe rrugica të ngushta, që sipas saj ruan ende atmosferën autentike të Shqipërisë së dikurshme. Ajo vlerëson përpjekjet për restaurimin e banesave tradicionale dhe kthimin e tyre në bujtina turistike. Calhoun ndalet edhe në restorante tradicionale familjare, ku provon gatime shqiptare si djathi i skuqur me mjaltë, peshku i freskët dhe rakia tradicionale. Për të, këto eksperienca kulinare janë pjesë e pandashme e kulturës shqiptare. Në fokus të reportazhit është vendosur edhe Butrinti, qyteti antik i mbrojtur nga UNESCO, i njohur për trashëgiminë greke, romake, bizantine dhe veneciane. Autorja e përshkruan si një vend gjigant, ku historia e lashtë ndërthuret me natyrën e bukur mesdhetare. Përveç natyrës dhe historisë, artikulli vë në dukje edhe kostot relativisht të ulëta të pushimeve në Shqipëri krahasuar me destinacionet e tjera mesdhetare. Ky faktor, sipas saj, po e bën rivierën shqiptare gjithnjë e më tërheqëse për turistët ndërkombëtarë. Në fund të artikullit, Calhoun e përshkruan udhëtimin në Shqipëri si një përvojë çlodhëse dhe rigjeneruese: “U largova nga vendi me ndjesinë e qetësisë dhe dëshirën për t’u rikthyer sërish.” Artikulli i plotë “Travel + Leisure”: Kjo rivierë evropiane, ofron plazhe mahnitëse, rrënoja të lashta dhe çmime çuditërisht të ulëta, shkruan Ada Calhoun në një artikull të botuar më “Travel + Leisure”. Ndërsa dielli perëndonte mbi detin Jon, unë po shijoja një birrë “Korça” në shezlongun tim të butë në plazh, vetëm pak hapa larg dallgëve që përplaseshin lehtë në breg. Aty pranë, fëmijët lundronin mbi dyshekë në ujërat e kthjellëta blu, duke bërtitur nga gëzimi, ndërsa prindërit e tyre pushonin nën çadra. Dy vajza të reja me këmisha të gjera kaluan pranë bregut me guralecë të bardhë, duke biseduar në shqip ndërsa dielli fshihej pas horizontit rozë. E veshur me bikini të kuqe, me flokët e lagura të mbledhura sipër kokës, hodha një peshqir gri mbi këmbë dhe u përpoqa të kujtoja saktësisht se si kisha përfunduar vetëm në Shqipëri — një vend ish-komunist, për një kohë të gjatë i izoluar në Ballkan, — pa pasur një vendim tjetër për të marrë përveçse ku do të haja darkë. Djali im ishte në prag diplomimi në universitet dhe sapo kisha kaluar një ndarje të dhimbshme. Libri im më i fundit kishte përfunduar dhe do të publikohej pas disa muajsh. Për herë të parë që nga fëmijëria, e gjeta veten pa asnjë përgjegjësi. “Ku po shkon ?” më pyesnin njerëzit. Një mik zviceran më tregoi se kishte lundruar në detin Jon kur kishte qenë i ri dhe se vendi kishte qënë i mbuluar nga errësira (zona të tëra të Shqipërisë mbetën pa energji elektrike deri në vitet 1970). Në fillim, rruga ishte relativisht e zakonshme, me autostrada periferike të mbipopulluara. Por pjesa e fundit ishte plot kthesa të frikshme në një peizazh të lashtë, ndryshe nga çdo gjë që kisha parë më parë. Në Qafën e Llogorasë, me pyllin e pishave në njërën anë dhe një humnerë drejt detit në anën tjetër, më duhej t’i kujtoja vetes të mos i hiqja sytë nga rruga e ngushtë malore me kthesa. Pas rreth katër orësh udhëtim, mbërrita në hotelin “Prado Luxury Hotel”, një nga dy pronat moderne që janë hapur së fundmi në plazhin e Livadhit, një hark i gjerë me guralecë të çelët i rrethuar nga kodra të mbuluara me ullinj. Megjithatë, suita ime dukej sikur vinte nga një epokë tjetër, me mure të veshura me imitacion druri, banak imitues mermeri dhe një mbulesë krevati ngjyrë jeshile të zbehtë paksa të konsumuar. Por kush kishte kohë të merrej me detaje të tilla, kur kishte dritare nga dyshemeja në tavan dhe një ballkon të gjerë përballë detit? Restoranti im i preferuar rezultoi të ishte vetëm një minutë larg në këmbë. Mëngjesin tjetër, shkova drejt një prej shezlongëve bezhë dhe hapa një libër. Piku i sezonit veror kishte përfunduar, ndaj atmosfera ishte mjaft e qetë, me grupe turistësh që dukeshin kryesisht nga Evropa Lindore dhe çifte të reja shqiptare që shëtisnin përgjatë plazhit. Në mesditë, bëra një pushim nga plazhi dhe shkova me makinë në Himarën e Vjetër, ku eksplorova një labirint rrënojash të shekullit V para Krishtit pa takuar asnjë njeri. Hodha një sy brenda Kishës së Shën Sergjit dhe Shën Bakut, ku rrezet e diellit depërtonin nga një dritare e vogël pas altarit dhe dukej sikur i jepnin jetë muraleve të zbehta post-bizantine. Për drekë, një rekomandim më çoi në një mezebar familjar të quajtur “Café Kanda”. Nuk kishte menu. “Mamaja ime do të gatuajë për ju!”, tha kamerieri. “Doni peshk, karkaleca, perime, patate?” Ai solli kunguj të skuqur të ngrohtë dhe speca të mbushur me djathë të freskët dhe një kocë deti të pjekur që babai i tij e kishte kapur atë mëngjes. Pothuajse çdo person me të cilin bisedova më ofroi një gotë raki, pije e fortë tradicionale e bërë nga rrushi dhe çdo gjë tjetër që gjendej. U përpoqa të mos derdhja asnjë pikë, nga frika se mos digjte tavolinën. Meqë përdor çdo justifikim për të blerë libra, kisha marrë me vete disa vepra të Ismail Kadare, i cili shpesh quhet “zëri i Shqipërisë” dhe është nominuar 15 herë për Çmimin Nobel në Letërsi. Pasi lexova “Prilli i Thyer”, një roman që eksploron gjakmarrjen rituale, dhe “Kronikë në Gur”, një rrëfim gjysmë autobiografik i Luftës së Dytë Botërore përmes syve të një djali të vogël, vendosa të vizitoja një fshat tradicional malor. Po të mos ishte rruga aq e ngushtë, ndoshta do të isha kthyer mbrapsht. Do të kisha humbur gjithashtu takimin me Erald Maknorin, një sipërmarrës elegant që po shndërron disa nga vilat prej guri të shekullit XVIII në shtëpi pushimi me qira. Dy prej tyre kanë edhe pishina private. Ai më bëri një tur nëpër fshat dhe, në një moment, më tregoi një kishë ortodokse greke të ndërtuar në vitet 1700. E pyeta nëse ishte ende funksionale, duke ditur se Islami është feja më e përhapur në Shqipëri. “Po, dy murgj vijnë çdo të diel dhe mbajnë meshë për gratë e moshuara”, tha Maknori. Kurioziteti im për kulturën shqiptare më çoi edhe në Butrint, një qytet antik rreth dy orë në jug që njihet nga UNESCO për shtresëzimet e ruajtura mirë të historisë greke, romake, bizantine dhe veneciane. Vendi është gjigant. Pasi eksplorova Tempullin e Asklepit dhe amfiteatrin e shekullit III para Krishtit nën diellin përvëlues të mesditës, u ktheva me nxitim drejt plazhit.

Lini një Përgjigje