Pikat kryesore
- Në një përpjekje për të forcuar transparencën dhe për të mbyllur hapësirat e abuzimit në sistemin arsimor, Ministria e Arsimit ka zyrtarizuar “Planin e Integritetit”.
- Në hyrjen që i paraprin këtij dokumenti, theksohet rëndësia jetike të kësaj nisme për të ardhmen e vendit dhe rrezikun që i kanoset sistemit nga mungesa e etikës.
- Më tej, nënvizohet se korrupsioni në nivel administrativ deformon parimet e meritokracisë, ndaj udhëheqja e politikave kërkon një qasje të vendosur.
Në një përpjekje për të forcuar transparencën dhe për të mbyllur hapësirat e abuzimit në sistemin arsimor, Ministria e Arsimit ka zyrtarizuar “Planin e Integritetit”. Ky dokument strategjik, i cili pritet të diktojë rregulla të reja e të ashpra për administratën qendrore dhe hartuesit e politikave arsimore, synon të rikthejë besimin e publikut te meritokracia dhe llogaridhënia e institucioneve. Hartimi i politikave në arsim, sipas këtij plani, nuk do të jetë më thjesht një proces administrativ, por do t’i nënshtrohet një filtri të rreptë etik dhe antikorrupsion, duke u fokusuar në pikat më nevralgjike: prokurimet publike, hartimi i akteve rregullatore dhe licencimet. Në hyrjen që i paraprin këtij dokumenti, theksohet rëndësia jetike të kësaj nisme për të ardhmen e vendit dhe rrezikun që i kanoset sistemit nga mungesa e etikës. “Integriteti institucional në këtë proces është jetik për të garantuar që çdo vendimmarrje, ligj apo reformë të jetë produkt i një administrimi të ndershëm, larg interesave të ngushtë dhe në shërbim të plotë të interesit publik,” theksohet në dokumentin e publikuar tani edhe në Fletoren Zyrtare. Më tej, nënvizohet se korrupsioni në nivel administrativ deformon parimet e meritokracisë, ndaj udhëheqja e politikave kërkon një qasje të vendosur. “Ndërtimi i një kulture institucionale që promovon ndershmërinë, përgjegjshmërinë dhe sinjalizimin e praktikave të gabuara është thelbësor për një qeverisje që shërben me dinjitet,” nënvizohet në Planin e ri të Integritetit. Katër shtyllat e reformimit të brendshëm Dokumenti detajon një plan veprimi të shtrirë në katër objektiva kryesorë, të cilët synojnë të skanojnë dhe rregullojnë çdo hallkë të ministrisë: Brenda gjashtëmujorit të dytë të vitit 2026, dikasteri i arsimit do të hartojë dhe zbatojë një Kod të ri Etike. Ky dokument do të përcaktojë standarde të panegociueshme sjelljeje jo vetëm për zyrtarët e thjeshtë publikë, por edhe për stafin politik dhe kabinetin e ministrit. Filtër për burimet njerëzore Plani synon t’i japë fund emërimeve të dyshimta apo lëvizjeve të paargumentuara të stafit. Përmes një rregulloreje të përditësuar, kërkohet zbatimi i rreptë i meritokracisë në rekrutime dhe promovime, duke shmangur nepotizmin dhe duke zhvilluar kapacitetet profesionale përmes trajnimeve të vazhdueshme. Transparenca radikale Ministria pranon se ka ende hapësira për përmirësim në komunikimin e saj me qytetarët. Objektivi i tretë fokusohet te publikimi proaktiv i të dhënave, veçanërisht në fushat me risk të lartë ku menaxhohen fondet publike. Monitorimi i licencave dhe kuotave Shtrëngim i mekanizmave të kontrollit në marrëdhëniet me institucionet e arsimit të lartë dhe parauniversitar. Çdo vendimmarrje për programe studimi, licencime apo financime kërkimore do t’i nënshtrohet një procesi transparent për të eliminuar çdo formë favorizimi. Mekanizmat e llogaridhënies Për të mos mbetur thjesht një dokument deklarativ në sirtarë, zbatimi i Planit të Integritetit do të kalojë në një proces rigoroz monitorimi. Një Koordinator i posaçëm i Integritetit do të ndjekë hap pas hapi realizimin e detyrave, duke përgatitur raporte gjashtëmujore dhe vjetore. Nëse masat nuk rezultojnë efikase apo identifikohen vonesa dhe faktorë të rinj risku, plani parashikon ndërhyrje korrigjuese të menjëhershme. Në fund, raportet e monitorimit do të bëhen publike, duke u hapur për debat dhe analizë nga grupet e interesit dhe shoqëria civile.