Plani kombëtar kundër zjarreve, Lamallari: Investime të reja në kapacitete tokësore dhe…

Plani kombëtar kundër zjarreve, Lamallari: Investime të reja në kapacitete tokësore dhe…

Pikat kryesore

  • “Çdo verë është një sprovë e re edhe për ne këtu në Shqipëri, dhe puna e përbashkët nuk matet vetëm me numrin e zjarreve që shuajmë, por mbi të gjitha me ato që arrijmë të parandalojmë.
  • Zjarri nuk pyet për kufij administrativë, nuk njeh orar dhe nuk fal neglizhencën tonë.
  • Përkundrazi, kërcënon jetën, pronën, ekonomin, mjedisin dhe të ardhmen e komuniteteve tona.

Në Bazën Ajrore të Farkës është zhvilluar sot aktiviteti kombëtar për rritjen e gatishmërisë për përballimin e sezonit të zjarreve, në prani të Kryeministrit Edi Rama, ministrit të Punëve të Brendshme Besfort Lamallari, ministrit të Mbrojtjes, ministrit të Pushtetit Vendor, prefektëve, kryetarëve të bashkive, drejtuesve të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, forcave zjarrfikëse, Forcave të Armatosura dhe strukturave të tjera të angazhuara në menaxhimin e emergjencave civile. Gjatë aktivitetit u bë e ditur se flotës aktuale të mjeteve ajrore do t’i shtohen së shpejti edhe tre avionë zjarrfikës, pronë e shtetit shqiptar, të cilët, së bashku me flotën e helikopterëve, do të rrisin ndjeshëm kapacitetet e vendit për ndërhyrje të shpejtë dhe efektive në rastet e zjarreve masive. Në fjalën e tij, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, theksoi se zjarret përbëjnë një nga sfidat më serioze të sigurisë publike, duke kujtuar situatën e rëndë me të cilën po përballet Franca dhe duke nënvizuar se asnjë shtet, pavarësisht nivelit të zhvillimit, nuk është i paprekshëm nga emergjencat e shkaktuara nga zjarret. “Çdo verë është një sprovë e re edhe për ne këtu në Shqipëri, dhe puna e përbashkët nuk matet vetëm me numrin e zjarreve që shuajmë, por mbi të gjitha me ato që arrijmë të parandalojmë. Zjarri nuk pyet për kufij administrativë, nuk njeh orar dhe nuk fal neglizhencën tonë. Përkundrazi, kërcënon jetën, pronën, ekonomin, mjedisin dhe të ardhmen e komuniteteve tona. Prandaj, përgatitja për sezonin e zjarreve nuk është një ushtrim rutinë dhe as përmbushja e një detyre funksionale”, u shpreh Lamallari. Ministri theksoi se Qeveria Shqiptare ka ndërtuar një qasje të bazuar te parandalimi dhe jo vetëm te reagimi, duke hartuar planet operacionale në të 61 bashkitë, forcuar sistemin e monitorimit dhe vrojtimit, kryer mijëra inspektime teknike, organizuar fushata ndërgjegjësimi dhe intensifikuar bashkëpunimin me Policinë e Shtetit për goditjen e çdo rasti të zjarrvënies së qëllimshme. Ai nënvizoi se ndryshimet në Kodin Penal kanë ashpërsuar ndëshkimet për zjarrvënien, deri në 15 vite burg, duke theksuar se çdo akt i tillë përbën një kërcënim jo vetëm për natyrën, por edhe për sigurinë kombëtare. “Mbrojtja e Shqipërisë nga zjarret fillon me përgjegjësinë e gjithsecilit prej nesh dhe emergjenca më e mirë është ajo që nuk ndodh kurrë. Prandaj, kemi forcuar gatishmërinë operacionale në të gjithë strukturën tonë. Kemi garantuar funksionalitetin e mjeteve, rezervat logjistike, pajisjet e ndërhyrjes, komunikimin në terren dhe dislokimin e forcave në zonat me risk më të lartë. Në bashkëpunim me prefektët, bashkitë, Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile kemi ndërtuar një mekanizëm shumë më efikas reagimi sesa vitet e shkuara”, tha ministri.

Lini një Përgjigje