Paralajmërimi i SHBA për sulme nga Irani, Lamallari: S’ka informacion për kërcënim real

Paralajmërimi i SHBA për sulme nga Irani, Lamallari: S’ka informacion për kërcënim real

Pikat kryesore

  • Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi se nuk ka asnjë arsye për shqetësim lidhur me një sulm të mundshëm nga Irani në vendin tonë.
  • Ky njoftim është në vazhdën e njoftimeve që bëhen në të gjithë botën për sigurinë e qytetarëve amerikanë.
  • Së dyti, policia ka marrë masa prej kohësh për shtimin e sigurisë, jo vetëm për shkak të publikimit të djeshëm, por bazuar në zhvillimet ndërkombëtare.

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi se nuk ka asnjë arsye për shqetësim lidhur me një sulm të mundshëm nga Irani në vendin tonë. Duke i kthyer përgjigje debateve në Kuvend si dhe për të qartësuar opinion publik, Lamallari sqaroi se njoftimi i Ambasadës Amerikane ishte pjesë e praktikës së rregullt të saj për informimin e qytetarëve amerikanë në të gjithë botën dhe nuk lidhet me një situatë konkrete rreziku në Shqipëri. “Fakti i parë, jo më larg se mbrëmë, kam kërkuar strukturave të policisë, antiterrorit, sigurisë publike dhe policisë kriminale të jenë në komunikim me zyrën e sigurisë së Ambasadës Amerikane, ku u konfirmua se nuk ka asnjë informacion konkret, qoftë edhe nga inteligjenca, për një situatë rreziku real. Ky njoftim është në vazhdën e njoftimeve që bëhen në të gjithë botën për sigurinë e qytetarëve amerikanë. Së dyti, policia ka marrë masa prej kohësh për shtimin e sigurisë, jo vetëm për shkak të publikimit të djeshëm, por bazuar në zhvillimet ndërkombëtare. Strukturat e antiterrorit janë të angazhuara dhe në komunikim të vazhdueshëm me të paktën dy ambasada në vend. Shqipëria mbetet një vend i sigurt”, tha Lamallari. Ministri theksoi se Policia e Shtetit ka një plan veprimi të detajuar për çdo strukturë përgjegjëse dhe se masat e sigurisë janë të shtuara prej kohësh, duke garantuar stabilitetin dhe sigurinë e vendit. Një ditë më parë Ambasada Amerikane paralajmëroi qytetarët amerikanë në Shqipëri dhe në mbarë botën për një rrezik të shtuar nga grupet e lidhura me Iranin, si pasojë e konfliktit aktual në Lindjen e Mesme. Sipas alertit të sigurisë, grupet e mbështetura nga Irani mund të synojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara, si dhe elementë të opozitës iraniane që ndodhen në Shqipëri.

Lini një Përgjigje