Nisur nga ngjarjet e djeshme, shkrimi i Sonila Meços për Mimoza Ahmetin që po bën bujë në…

Nisur nga ngjarjet e djeshme, shkrimi i Sonila Meços për Mimoza Ahmetin që po bën bujë në…

Pikat kryesore

  • Ne, variablat e çoroditur të lojës së madhe, që shahemi, pështyhemi, goditemi, gjakosemi e vritemi pa një finale?!
  • Pasi ka provuar shijen e dheut në taban, kurorat e lavdisë në qiellnajë.
  • Moza në këtë strukturë të matufepsur shoqërore është konstante, një trup me densitet tjetër.

Nga Sonila Meço: “ Fik dritat “Ferma” në qershor. Moza fiton. Sponsorët qarkullojnë për tek “dramat” e radhës. Loja mbaron. Çfarë ndodh me ne që mbetemi në versionin e plotë të saj? Ne, variablat e çoroditur të lojës së madhe, që shahemi, pështyhemi, goditemi, gjakosemi e vritemi pa një finale?! Moza ka hyrë në dekadën e shtatë të jetës. Pasi ka provuar shijen e dheut në taban, kurorat e lavdisë në qiellnajë. Moza në këtë strukturë të matufepsur shoqërore është konstante, një trup me densitet tjetër. Nuk përzihet me lëngun. Nuk e merr formën e enës. Edhe kur e fut në perimetrin e Fermës. Edhe kur është e lirë si kali në lëmë. Një grua që ka krijuar, sidomos përmes letërsisë, nuk ka jetuar vetëm jetën e saj. Moza ka përtypur karaktere, konflikte, drama, rikthime, humbje, rënie, dobësi njerëzore. I ka parë nga brenda, i ka kuptuar, i ka shndërruar në fjalë. Një strukturë e tillë psiqike nuk hyn lehtë në konflikt, sepse konflikti kërkon një lloj pasigurie për t’u ndezur. Moza i ka ikur atij kurthi kohë më parë e as nuk shpjegohet më me rrethanat e një formati televiziv. Shpjegohet me kohën që ka kaluar brenda vetes e për këtë jep leksione falas karshi kamerave të Fermës ndërsa gjerb me qesëndi kafenë e mëngjesit. Ajo qetësi e adhuruar e saj nuk është temperament, por përzgjedhje me vetëdije, sepse identitetin nuk e ka ndërtuar në raport me të tjerët, por kryesisht pavarësisht tyre. Moza nuk përplaset më me jetën, e përthith të tërën, edhe atë miniaturë formati televiziv. Ndaj ngjan aq e sinqertë. Sepse ajo e njeh mekanizmin. Ka parë mjaftueshëm nga natyra njerëzore ndaj refuzon të reagojë sipas një skenari që nuk e ka shkruar ajo. Mu aty mbaron formati e ndodh përplasja reale, një sistem që funksionon mbi impulsin dhe një individ që funksionon mbi integritetin. Sistemi në fakt, edhe jashtë formatit, në realitet nuk e toleron këtë kontrast. Mendoni pak ç’ndodh me njerëzit e formuar, me integritet e dinjitet. Ndaj mos ia qani hallin kur e bullizojnë ca këpujka. Po as mos u ngazëlleni kur e miklojnë me ca drone e rroba. Moza e di fare mirë ku është. Dhe përse. E di që ka një datë skadence ajo prezencë. Ashtu siç di se ato copëza jete në miniaturë janë hiçmosgjë në raport me relievin e tmerrshëm të origjinalit. Ndaj ngjan kaq e sforcuar kjo indinjatë jona nga një miniaturë, ndërkohë që jetojmë si mosozot në origjinal. Ja që ndodh ky çekuilibër i çuditshëm, reagojmë fort ndaj simulimit dhe shpejt e shkurt ndaj realitetit. Një fjalë e rëndë në studio duket skandal, ndërsa e njëjta gjuhë në përditshmëri kalon si refleks. Një padrejtësi a bullizëm ndaj një gruaje të mençur e të matur në një format televiziv barabitet në reagim viral në rrjet me reagimin mbi vrasjen e dy fëmijëve duke luajtur, mbi dhunën barbare ndaj një të moshuare që mbron pronën e vet nga shteti. Ndaj na ngjan Moza e paqtë, ndërsa ne vlojmë nga indinjata edhe për të. Jashtë, ne publiku e shohim nga distanca. Largësia prodhon idealizimin, na bën të projektojmë mbi figurën e saj atë që na mungon vetë, qetësinë, autenticitetin, dinjitetin. Prandaj Moza jashtë adhurohet, sepse përfaqëson një version më të lartë të vetes kolektive. Brenda, ndodh e kundërta. Aty nuk ka distancë, por konkurrencë, krahasim të përditshëm, hierarki të luhatshme. Ata banorë, çdo ditë zgjohen përballë dikujt që nuk ka nevojë të luftojë për vëmendje, ndaj u aktivizohet mekanizmi krejt i kundërt me atë tonin jashtë, de-idealizimi i dhe agresioni mbrojtës ndaj saj. Moza, si fenomen që nga larg të mahnit e frymëzon, nga afër ngjan kërcënuese. I njëjti person ndahet në dy figura. Jashtë, objekt adhurimi. Brenda, shënjestër që duhet ulur për të rikthyer barazinë e egove. Kjo e krijon atë tension të padukshëm dhe nga hiçmoskundi, si të garosh me dikë që nuk po luan të njëjtën lojë? Përgjigjja e pavetëdijshme është e thjeshtë, ta tërheqësh poshtë, shumë poshtë derisa të hyjë në lojën që dinë të luajne ata vetë. Kjo është prova që nuk e kalon dot jo vetëm një brez 4 dekada më i ri dhe i paprovuar se Moza, po as ata më pranë saj, si në moshë e profesion, si në formim e logjikë. Kjo është kriza strukturore e formatit, sepse loja nuk është më hapësirë ku karakteret zhvillohen, por terren (edhe bujqësor po deshe), ku karakteret shkërmoqen derisa të bëhen të njëtrajtshme.

Lini një Përgjigje