Pikat kryesore
- Mereme Sela hyri dje në selinë e Partisë Demokratike në momentin e duhur: kamerat ishin ndezur, gazetarët në pritje, dera hapur për një skenë që dukej sikur ishte menduar paraprakisht.
- Të gjithë e kishin të qartë se nuk bëhej fjalë për një kandidat të një gare reale, rezultati i së cilës dihej pa u gara.
- Mereme Sela hyri në PD e keqpërdorur nga nevoja për të mbushur boshllëkun e një procesi që kishte mbetur pa kundërshtarë.
Mereme Sela hyri dje në selinë e Partisë Demokratike në momentin e duhur: kamerat ishin ndezur, gazetarët në pritje, dera hapur për një skenë që dukej sikur ishte menduar paraprakisht. Të gjithë e kishin të qartë se nuk bëhej fjalë për një kandidat të një gare reale, rezultati i së cilës dihej pa u gara. Mereme Sela hyri në PD e keqpërdorur nga nevoja për të mbushur boshllëkun e një procesi që kishte mbetur pa kundërshtarë. Ata që e sollën aty nuk kërkonin një figurë që të sfidonte Sali Berishën, por një figurë që të justifikonte ekzistencën e garës. Një emër sa për të thënë se procedura po ndiqej. Por edhe kjo rezultoi më e vështirë seç dukej. Sepse edhe kandidimi fiktiv kërkon një minimum fantazie politike, një vijë të hollë mes formalitetit dhe absurdit. Përzgjedhësit e Meremes nuk kishin parashikuar diçka: që brenda pak orësh, Meremja nuk ishte më kandidate, por personazh i rrjeteve sociale. Jo si pjesë e një gare, por objekt talljeje me një nga garat politike më qesharake të politikës shqiptare, që në fakt ka pasur jo pak të tilla. Ndërsa servilët e Berishës u entuziazmuan nga popullariteti i Meremes, Sali Berisha, si ujk i vjetër politik, e kuptoi rrezikun e bërjes edhe më shumë qesharake të një gare që boll patetizëm kishte dhe pa nisur. Reagimi erdhi shpejt. Sipas rrëfimeve, nga Kroacia u dha urdhër për ta hequr nga skena. Jo sepse rrezikonte rezultatin, por sepse rrezikonte seriozitetin e farsës. Sepse edhe një proces i zbrazët dhe qesharak ka nevojë të ruajë një minimum forme. Dhe kështu ndodhi absurdi i plotë: një kandidate e sajuar për një garë të sajuar u përjashtua sepse nuk ishte e denjë as për rolin e saj të sajuar. Megjithatë, në gjithë këtë teatër, Meremja të paktën nuk u servilos si ata që vishen më bukur, krihen tek parukierja dhe kanë bërë ca lek nga PD. Ajo, ndryshe nga shumë të tjerë, nuk po luan për të qëndruar brenda rrethit. Përkundrazi, ka paralajmëruar se do ta çojë në gjyq Partinë Demokratike për faktin që nuk e pranoi si kandidate, duke e kthyer përjashtimin e saj nga një episod qesharak në një telendisja të madhe për Sali Berishën dhe oborrin e tij.