Nëntë vite pas ‘Çadrës së Lirisë’: A po kthehet PD-‘fituese’ e Berishës tek ‘tradhtia’ e…

Nëntë vite pas ‘Çadrës së Lirisë’: A po kthehet PD-‘fituese’ e Berishës tek ‘tradhtia’ e…

Pikat kryesore

  • Më 18 shkurt 2017, Partia Demokratike ngriti një çadër proteste përballë Kryeministrisë, duke nisjen e një aksioni të përhershëm kundër qeverisë së Edi Rama.
  • Kërkesa zyrtare ishte “zgjedhje të lira dhe të ndershme”, ndërsa kushti politik i vendosur nga opozita ishte formimi i një qeverie teknike që do të garantonte procesin zgjedhor.
  • Çadra u shoqërua me bojkot parlamentar, protesta të vazhdueshme dhe një retorikë përjashtuese, sipas së cilës opozita nuk do të hynte në zgjedhje pa plotësimin e kushteve të saj.

Nëntë vite pas ngritjes së të ashtuquajturës “Çadra e Lirisë” përpara Kryeministrisë, Partia Demokratike, tashmë, me kryetar Sali Berishën, duket se po rikthehet, në forma dhe ide, tek i njëjti model aksioni politik që për një kohë të gjatë e anatemoi dhe e tregoi me gisht si një tradhëti të Lulzim Bashës. Si lindi dhe si u mbyll ‘Çadra e Lirisë’? Më 18 shkurt 2017, Partia Demokratike ngriti një çadër proteste përballë Kryeministrisë, duke nisjen e një aksioni të përhershëm kundër qeverisë së Edi Rama. Kërkesa zyrtare ishte “zgjedhje të lira dhe të ndershme”, ndërsa kushti politik i vendosur nga opozita ishte formimi i një qeverie teknike që do të garantonte procesin zgjedhor. Çadra u shoqërua me bojkot parlamentar, protesta të vazhdueshme dhe një retorikë përjashtuese, sipas së cilës opozita nuk do të hynte në zgjedhje pa plotësimin e kushteve të saj. Për gati tre muaj, PD mbajti një qëndrim të ngurtë, duke e zhvendosur betejën politike nga institucionet në bulevard. Kriza u mbyll më 17 maj 2017, me marrëveshjen Rama–Basha, e cila parashikoi shtyrjen e zgjedhjeve, përfshirjen e disa ministrave “teknikë” të propozuar nga opozita dhe rikthimin e PD-së në procesin zgjedhor. Çadra u çmontua, opozita hyri në zgjedhje dhe cikli i protestës u i mbyllur. Rezultati politik: Humbje dhe asnjë përfitim Zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017 përfunduan me një humbje të thellë për Partinë Demokratike. Jo vetëm që “Çadra e Lirisë” nuk arriti të prodhonte rotacion pushteti, por ajo nuk solli asnjë avantazh elektoral për opozitën. Përkundrazi, PD doli më e dobët, ndërsa mazhoranca socialiste fitoi një mandat të qartë qeverisës. Ky aksion u pasua nga një seri veprimesh kaotike që e thelluan krizën e opozitës, siç ishte djegia e mandateve parlamentare dhe bojkoti i zgjedhjeve vendore, të cilat i lanë pushtetin lokal pa garë dhe e përjashtuan PD-në nga institucionet për një periudhë të gjatë. Në retrospektivë, “çadra” u shndërrua në preludin e një cikli vetëpërjashtimi politik. Berisha kundër Bashës: “Çadra” si simbol pazari dhe shitjeje Pas vitit 2021, kur Berisha nisi lëvizjen e tij të njohur si “Foltorja”, çadra e vitit 2017 u rikthye në akuzë për Lulzim Bashën. Berisha e portretizoi atë aksion si model të “pazarit” me Ramën dhe si dëshmi të “shitjes” së opozitës nga Lulzim Basha. Sipas kësaj narrative, marrëveshja e majit 2017 nuk ishte kompromis politik, por tradhti ndaj demokratëve. Ironia politike qëndron në faktin se sot, në diskursin dhe praktikat e PD-së nën drejtimin e Berishës, po rishfaqen ide të ngjashme, siç është ideja e protestës së zgjatur, retorika e bojkotit dhe rikthimi i simbolikës së “qëndresës” jashtë institucioneve. Një pyetje që militantët e Berishës nuk duan ta dëgjojnë Fakti që Partia Demokratike vazhdon të qarkullojë rreth ideve të tipit “çadër”, “bojkot” dhe “presion i përhershëm në bulevard” sugjeron se modeli i vitit 2017 nuk paska qenë thjesht një shpikje e Lulzim Bashës. Përkundrazi, rikthimi i tij sot ngre dyshimin se ky aksion ishte një strategji e imponuar, e konceptuar më herët dhe e trashëguar nga e njëjta frymë politike që sot e dënon publikisht. Nëntë vite më pas, “Çadra e Lirisë” mbetet jo si simbol i fitores, por si një eksperiment i dështuar opozitar, ndërsa rikthimi i saj, në çfarëdo forme, ngre shqetësimin se Partia Demokratike po rrotullohet ende në të njëjtin rreth vicioz, pa nxjerrë mësime nga një nga humbjet më të rënda të historisë së saj politike.

Lini një Përgjigje