Pikat kryesore
- Fushat pranverore dhe rrugët me gropa në veri të Pokrovskut janë ende të mbuluara me baltë, që u ngjitet çizmeve, rrotave, armëve dhe kutive të municionit, duke rënduar gjithçka dhe duke e bërë lëvizjen më të ngadaltë.
- Kur duhet të dërgosh ujë dhe karburante për ushtarët në llogore dhe bunkerë, detyrohesh të përdorësh mjete që mund të lëvizin në çfarëdo terreni.
- “Motori katër-rrotësh (quad bike) është më i lehtë për t’u manovruar, ka shikueshmëri më të mirë dhe mund të zbresësh shpejt në rast nevoje.
Fushat pranverore dhe rrugët me gropa në veri të Pokrovskut janë ende të mbuluara me baltë, që u ngjitet çizmeve, rrotave, armëve dhe kutive të municionit, duke rënduar gjithçka dhe duke e bërë lëvizjen më të ngadaltë. Për të dyja palët, si për ukrainasit ashtu edhe për rusët. Kur duhet të dërgosh ujë dhe karburante për ushtarët në llogore dhe bunkerë, detyrohesh të përdorësh mjete që mund të lëvizin në çfarëdo terreni. “Motori katër-rrotësh (quad bike) është më i lehtë për t’u manovruar, ka shikueshmëri më të mirë dhe mund të zbresësh shpejt në rast nevoje. Shkon aty ku makinat e zakonshme rrëshqasin dhe nuk kalojnë”, thotë një ushtar i Brigadës së 152-të Jaeger të Ukrainës, i cili do që të identifikohet vetëm me nofkën Bars. Ai tregon se ushtarët kanë provuar të dërgojnë furnizime edhe me mjete të blinduara, por ato jo gjithmonë arrijnë në destinacion, sepse ekziston rreziku i minave ose sulmeve me dronë. Ky është fillimi i sezonit të pestë të luftimeve të Ukrainës kundër agresionit të Rusisë, e cila ka një ushtri më të madhe dhe më të armatosur. Megjithatë, kjo pranverë është ndryshe. “Momentalisht, situata e përgjithshme për ukrainasit duket më e mirë seç ka qenë në disa vite, ndonëse ende ka rreziqe të konsiderueshme”, thotë Pasi Paroinen, analist ushtarak në “Black Bird Group”, një organizatë kërkimore finlandeze. Por, këto fitore janë të vogla dhe nuk përbëjnë ndonjë kthesë vendimtare në luftë. Disa prej tyre lidhen edhe me mënyrën se si llogariten ndryshimet në terren. Për shkak të ndryshimeve në taktika dhe teknologji, analistët thonë se është pothuajse e pamundur të përcaktohet një vijë e qartë fronti, ku mund të matet saktë territori i fituar apo i humbur. Në përgjithësi, sipas grupit “DeepState”, përparimet ruse janë ngadalësuar pothuajse plotësisht deri në mes të majit. Në fakt, rusët kanë humbur terren, duke shënuar një humbje neto territoriale, sipas këtij grupi monitorues që ka lidhje me ushtrinë ukrainase. Këto gjetje përputhen edhe me ato të Institutit për Studime të Luftës me bazë në SHBA. “Valët ende nuk janë kthyer plotësisht në favor të Ukrainës dhe nuk ka gjasa që ukrainasit të mund të ndërmarrin ndonjë kundërofensivë të madhe së shpejti”, thotë Paroinen. “Ky muaj e ka ndryshuar dinamikën në favorin tonë, në favor të Ukrainës”, deklaroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 19 maj. “Po i mbajmë më mirë pozicionet tona dhe po shkaktojmë më shumë dëme”, tha ai. Me përmirësimin e motit, toka thahet dhe bimësia shtohet. Për pasojë, luftimet intensifikohen. Sipas vëzhguesve ukrainas, rusë dhe perëndimorë, kjo po ndodh njësoj si në vitet e kaluara. Ekspertët thonë se, për shkak të përdorimit masiv të dronëve dhe teknologjive të reja, nuk ka më një vijë të qartë fronti. Në kundërsulmet e janarit dhe shkurtit, Ukraina fitoi rreth 37 km² territore, kryesisht pranë Hulljajpoljes, por Rusia arriti të rikuperojë një pjesë të tyre. Më 15 maj, Ukraina mori edhe fshatin Odradne. Megjithatë, hera e fundit kur Ukraina rimori territore në shkallë të gjerë, ishte në fund të vitit 2022, gjatë ofensivave në Harkiv dhe Herson. “Në realitet, iniciativat mbeten ende kryesisht në anën e rusëve, edhe pse ata po hasin në vështirësi”, thotë Paroinen. “Muajt e ardhshëm të verës ka të ngjarë të tregojnë më qartë nëse forcat ruse janë bllokuar përfundimisht…”, shton ai. Për pjesën më të madhe të luftës, Rusia ka avancuar me forcë brutale, duke përdorur një numër jashtëzakonisht të madh ushtarësh. Shumë prej tyre përfundojnë në sulme të drejtpërdrejta të këmbësorisë. Në raportin e saj vjetor të publikuar muajin e kaluar, agjencia holandeze e inteligjencës ushtarake vlerësoi se numri i të vrarëve rusë ka kaluar 500.000, ndërsa i të vrarëve dhe të plagosurve ka arritur në 1.2 milion. “Ne po e bëjmë çdo metër të territorit ukrainas jashtëzakonisht të kushtueshëm për armikun”, tha Mykhaylo Fedorov. Sipas zyrtarëve holandezë, “tendencat nuk janë në favor të Ukrainës”, sepse ndryshe nga Rusia, ajo nuk është në gjendje ose mezi arrin t’i zëvendësojë humbjet. Zyrtarët rusë kanë bërë të qartë se marrja e këtyre dy qyteteve është prioritet, qoftë me forcë, qoftë përmes diplomacisë. Paroinen thotë se Kostjantinivka ka gjasa të jetë “beteja” e kësaj vere dhe ai parashikon se Rusia mund ta marrë atë deri në fund të sezonit veror. Megjithatë, marrja e qytetit “nuk ka gjasa të shkaktojë ndonjë kolaps lokal për ukrainasit”. Edhe Limani, që ishte cak i një përpjekjeje të dështuar ruse në mars, mbetet në rrezik, kryesisht për shkak të njësive të lodhura ukrainase që e mbrojnë atë. Në jugperëndim të Limanit, rreth 200 kilometra larg, trupat ruse kanë avancuar drejt Hulljajpoljes, duke lëvizur ngadalë drejt nyjës më të madhe të Orihivit. Përfaqësuesit rusë janë takuar disa herë me homologët e Shtëpisë së Bardhë që kur presidenti amerikan, Donald Trump, ka nisur mandatin e tij të dytë në janar të vitit të kaluar. I dërguari kryesor amerikan, Steve Witkoff, është takuar tetë herë me presidentin rus, Vladimir Putin. Edhe Ukraina ka shfrytëzuar avantazhin jashtë fushëbetejës, duke përdorur dronët për të goditur rafineritë e naftës ruse, terminalet e eksportit dhe objektiva të tjera thellë brenda territorit rus. Këto sulme duket se e kanë shqetësuar Kremlinin, i cili, madje, është detyruar ta zvogëlojë paradën vjetore të Ditës së Fitores si pasojë e situatës. “Lufta po bëhet gjithnjë e më jopopullore në Rusi, dhe ka gjasa që Rusia të përballet me sfida në rritje për financimin e saj dhe për dërgimin e vazhdueshëm të fuqisë njerëzore”, thotë Paroinen. “Nga ana tjetër, Ukraina po i intensifikon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse dhe logjistikës në fushëbetejë, ndërkohë që po ndërton edhe kilometra të tëra pengesash pas vijave të frontit”, përfundon ai./REL Shtuar më 23.05.2026 16:05