Milionë dollarë për çdo tranzit”, pse nuk lejohen tarifa kalimi në Ngushticën e…

2 milionë dollarë për çdo tranzit”, pse nuk lejohen tarifa kalimi në Ngushticën e…

Pikat kryesore

  • Irani është dënuar gjerësisht për kërkesën e deri në 2 milionë dollarë për çdo tranzit përmes Ngushticës së Hormuzit.
  • DW shqyrton arsyet pse Egjipti mund të vendosë tarifa për Kanalin e Suezit dhe Panamaja për rrugën e tij ujore, por jo Teherani.
  • Kjo ngushticë është korridori më i rëndësishëm energjetik në botë, i vendosur midis Iranit dhe Omanit.

Irani është dënuar gjerësisht për kërkesën e deri në 2 milionë dollarë për çdo tranzit përmes Ngushticës së Hormuzit. DW shqyrton arsyet pse Egjipti mund të vendosë tarifa për Kanalin e Suezit dhe Panamaja për rrugën e tij ujore, por jo Teherani. Regjimi i Iranit është akuzuar për shantazh dhe kërcënime ndaj sigurisë globale të energjisë pasi dolën raporte se Teherani ka filluar të kërkojë deri në 2 milionë dollarë (1.7 milionë euro) për çdo anije për “kalim të sigurt” përmes Ngushticës së Hormuzit. Kjo ngushticë është korridori më i rëndësishëm energjetik në botë, i vendosur midis Iranit dhe Omanit. Para luftës me Iranin, përmes saj kalonte një e pesta e gjithë naftës dhe gazit që konsumohej globalisht. Teherani i justifikon këto tarifa si dëmshpërblime lufte për dëmet e pësuara gjatë sulmeve amerikano-izraelite ndaj Republikës Islamike, si dhe si pagesë për “shërbime navigimi”, mbrojtje mjedisore dhe siguri të shtuar. Irani tha se po përgatit një protokoll të përbashkët me Omanin për të kërkuar që anijet të marrin leje para se të kalojnë nëpër ngushticë. Ndërsa disa kompani transporti aziatike dhe operatorë më të vegjël kanë paguar në heshtje, aktorët e mëdhenj globalë po refuzojnë, ndërkohë që instituti kërkimor ISW i ka quajtur këto tarifa si një “rregjim zhvatjeje” detare. Shtetet e Bashkuara dhe Kina ranë dakord në kundërshtimin e tyre të përbashkët ndaj këtij taksimi, raportoi agjencia Reuters më herët gjatë këtij muaji, duke cituar një zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit. Edhe vendet e Gjirit e kanë refuzuar këtë veprim. Ekspertët detarë theksojnë se ka arsye të forta pse Irani nuk mund të vendosë tarifa në Hormuz, ndërsa pika të tjera kryesore si Kanali i Suezit dhe ai i Panamasë vendosin tarifa të ngjashme për kalim. Cilat janë rregullat për ngushticat? Sipas së drejtës ndërkombëtare detare, ngushticat natyrore të përdorura për transport detar rregullohen nga një grup rregullash të posaçme që synojnë mbrojtjen e tregtisë globale dhe lirisë së lundrimit. Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS) u jep anijeve dhe avionëve nga të gjitha vendet të drejtën e të ashtuquajturit kalim tranzit përmes ngushticave ndërkombëtare që lidhin dy pjesë të detit të hapur. Për të përfituar nga ky kalim, një anije duhet të lëvizë pa vonesa dhe pa ankoruar, përveç rasteve emergjente. Sipas UNCLOS, këto kalime duhet të lejohen pa ndërhyrje nga shteti bregdetar. Shtetet bregdetare mund të kërkojnë vetëm tarifa të kufizuara shërbimesh, si pilotimi dhe tërheqja. Pse për kanalet detare mund të vendosen tarifa? Kanalet si ai i Suezit dhe Panamasë janë rrugë ujore artificiale të ndërtuara, në pronësi dhe mirëmbajtje të shteteve sovrane me kosto shumë të lartë. Egjipti gjeneron rreth 4 miliardë dollarë në vit nga tarifat për anijet që kalojnë përmes Kanalit të Suezit, i gjatë 193 kilometra. Konventa e Konstandinopojës e vitit 1888 u jep shprehimisht të drejtën autoriteteve egjiptiane të vendosin tarifa për të mbuluar mirëmbajtjen, operimin dhe modernizimin. Ndërkohë, Autoriteti i Kanalit të Panamasë, që menaxhon kanalin e ndërtuar nga SHBA në emër të Panamasë, gjithashtu lejohet të vendosë tarifa sipas marrëveshjeve të veçanta. I përfunduar në vitin 1914 për të lidhur oqeanin Paqësor me atë Atlantik, Kanali i Panamasë kërkon mirëmbajtje të vazhdueshme dhe shumë të kushtueshme. Të dy operatorët zakonisht kërkojnë tarifa më të ulëta se ato që raportohet se po kërkon Irani. A ka përjashtime? Ekzistojnë disa zona gri ku mund të vendosen tarifa në ngushtica apo edhe oqeane. Rusia, për shembull, kërkon tarifa për eskortë me anije akullthyese dhe shërbime të tjera përgjatë Rrugës Detare Veriore. Kanadaja ka pretendime të ngjashme sovraniteti për Kalimin e Veriperëndimit dhe herë pas here mendon të vendosë tarifa, por përballet me kundërshtim nga SHBA. Një tjetër shembull janë Ngushticat Turke (Bosfori dhe Dardanelet), të rregulluara nga Konventa e Montreux e vitit 1936, sipas së cilës Turqia duhet të lejojë kalimin e lirë dhe mund të kërkojë vetëm tarifa të kufizuara për shërbime. Si pritet të zhvillohet kjo çështje? Mosmarrëveshja për tarifat në Hormuz mbetet një pengesë e madhe në bisedimet për paqe midis SHBA dhe Iranit. Uashingtoni kërkon që ngushtica të hapet plotësisht si ujëra ndërkombëtare, pa kontroll, tarifa apo leje nga Irani. “Ngushtica do të jetë e hapur për të gjithë; është ujë ndërkombëtar,” tha presidenti amerikan Donald Trump. SHBA po u bën thirrje kompanive të transportit të mos i paguajnë këto tarifa dhe ka paralajmëruar për sanksione ndaj atyre që bashkëpunojnë me Iranin. Ndërkohë, SHBA dhe OKB po punojnë për një plan për mbrojtjen e trafikut detar pas konfliktit, duke përfshirë patrulla ndërkombëtare dhe operacione për pastrimin e minave. /DW

Lini një Përgjigje