Pikat kryesore
- Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Kurti shpreh ngushëllimet për familjarët kolegët dhe bashkëpunëtorët e të ndjerit.
- Postimi i plotë: Pikëlluese të njoftohemi që në këtë ditë të parë të vitit 2026, ka vdekur Nexhat Daci, ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
- Si anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci ishte njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.
Ndarja nga jeta e ish-kryeparlamentarit Daci, Albin Kurti mesazh ngushëllimi familjarëve dhe kolegëve: Emër me rëndësi në historinë e shtetndërtimit të Kosovës Albin Kurti ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Nexhat Daci. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Kurti shpreh ngushëllimet për familjarët kolegët dhe bashkëpunëtorët e të ndjerit. Postimi i plotë: Pikëlluese të njoftohemi që në këtë ditë të parë të vitit 2026, ka vdekur Nexhat Daci, ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ai ishte një nga figurat kryesore dhe më aktive në skenën politike në Kosovë mes viteve 2001 dhe 2011, kur si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës dhe pastaj nga viti 2007, si themelues dhe kryetar i partisë Lidhja Demokratike e Dardanisë. Si anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci ishte njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Nexhat Daci kishte lindur më 26 korrik 1944 në fshatin Tërnoc të Bujanocit. Pas shkollimit të mesëm në Leskoc, ai studioi për kimi në Universitetin e Beogradit, ku më 1968 e mbrojti edhe temën e magjistraturës. Në vitin 1973, Nexhat Daci doktoroi në Universitetin e Zagrebit, kurse në vitin pasues, kreu studime postdoktorale në Universitetin e Bradfordit në Mbretërinë e Bashkuar. Që nga viti 1966 kur u zgjodh asistent në degën e kimisë, ai ligjëroi në Universitetin e Prishtinës, ku më 1984 u zgjodh profesor ordinar. Nexhat Daci është autor i shumë punimeve shkencore dhe veprave studimore nga fusha të ndryshme të kimisë. Ngushëllime familjes Daci, kolegëve të tij profesorë dhe akademikë, si dhe bashkëpunëtorëve të tij. Nexhat Daci do të mbetet një emër me rëndësi në historinë e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës. loading…