Pikat kryesore
- Minus 52 mijë vota/ Analiza e REL: Si shpjegohet rënia e LDK-së?
- Faktorët që ndikuan në këtë rënie të mbështetjes për LDK-në nga elektorati janë të shumtë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
- Në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, LDK-ja mori mbështetjen e 171.357 kosovarëve, ose të 18.27 për qind të atyre që votuan atë ditë.
Minus 52 mijë vota/ Analiza e REL: Si shpjegohet rënia e LDK-së? Faktorët që ndikuan në këtë rënie të mbështetjes për LDK-në nga elektorati janë të shumtë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike. Por, sipas tyre, kryesorët janë “qasja jo e duhur e lidershipit të partisë”, mosveprimi i partisë “sipas pritjeve të elektoratit” dhe “margjinalizimi i strukturave të vjetra”, të cilat tërheqin votuesit tradicionalë të kësaj partie. Rezultatet preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tregojnë se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, më 28 dhjetor, për LDK-në votuan 119.201 qytetarë, apo 13.57 për qind e pjesëmarrësve në votime. Në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, LDK-ja mori mbështetjen e 171.357 kosovarëve, ose të 18.27 për qind të atyre që votuan atë ditë. LDK-ja “ia mbylli dyert vetes” Analisti Imer Mushkolaj thotë për Radion Evropa e Lirë se arsyeja kryesore pse LDK-ja ka pësuar “rënie të madhe” në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka nisur 11 muaj më parë. Ai rikujton qëndrimin që asokohe kishte bërë të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, se partia e tij nuk do të hynte në koalicion as me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), e cila kishte fituar 42 për qind të votave në shkurt, dhe as me dy partitë tjera, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për një qeveri eventuale të kampit ish-opozitar asokohe. “Është pikërisht qasja jo e duhur e lidershipit të partisë… Unë jam i bindur që kjo ka ndikuar jashtëzakonisht shumë te logjika se si votojnë dhe si kanë votuar votuesit e LDK-së, për shkak se për mua është e pakuptimtë që një parti, e cila ekziston për të ardhur në pushtet – sikurse çdo parti tjetër – thjeshtë ia mbyll dyert vetes”, thekson Mushkolaj. Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2021, LDK-ja kishte marrë vetëm 12.73 për qind të votave. Megjithatë, ajo shënoi përmirësim në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke u rritur për 5 pikë përqindjeje. Analisti Rrahman Paçarizi konsideron se kur votuesit i rikthehen një partie, ata presin edhe veprim të saj. “Ndërkohë, veprimi i LDK-së nuk ka ndodhur fare, apo nuk ka ndodhur ashtu siç e kanë pritur ose perceptuar ata votues, të cilët kanë menduar dhe shpresuar që LDK-ja do të jetë pjesë e institucioneve”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë. Ai shton se LDK-ja nuk ka arritur që ta ndërtojë rrëfimin e saj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, të cilat u pasuan me zvarritje disamuajshe të konstituimit të Kuvendit. LVV-ja, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk arriti ta krijonte e vetme qeverinë e re, gjë që dërgoi vendin në zgjedhjet e parakohshme të fundvitit. Megjithatë, trendi i rënies së numrit të votuesve të LDK-së, sipas Paçarizit, kishte nisur rreth pesë vjet më parë. Ardhja e Abdixhikut në krye të partisë në vitin 2021 nënkuptoi edhe një ekip të ri njerëzish më të besueshëm të tij në strukturat drejtuese të partisë. Përpjekjet për ripërtëritjen e partisë, thotë Paçarizi, nuk prodhuan edhe rezultat të mirë tek ruajtja e elektoratit. “Mendoj se LDK-ja i ka lënë pas dore strukturat më të vjetra të saj, të cilat tashmë pothuajse janë margjinalizuar dhe janë struktura të fjetura. Votuesit e këtyre strukturave nuk bëhen elektorat i askujt tjetër, por refuzojnë të dalin për ta votuar LDK-në”, thekson Paçarizi. Në linjë të njëjtë shpreh mendimin edhe Mushkolaj, i cili po ashtu e sheh margjinalizimin e disa prej njerëzve nga strukturat më të vjetra të LDK-së, si shkaktar të rënies së numrit të votuesve të kësaj partie. “Të mos harrojmë se profili i votuesve të LDK-së janë edhe njerëzit në moshë mesatare dhe të shtyrë, të cilët gjatë viteve të tëra e kanë asociuar LDK-në me këta njerëz. Atëherë, mos pritni që të njëjtit kanë për t’ia dhënë votën LDK-së. Më e pakta që ata mund të bëjnë është që të abstenojnë nga votimi dhe të mos votojnë LDK-në”. Ku shkuan votuesit e LDK-së? Rënia e numrit të votuesve të LDK-së më 2021, rikthimi i një numri të tyre në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe rënia e sërishme në zgjedhjet 28 dhjetorit, tregojnë se mjaft prej këtyre votuesve i takojnë “zonës së hirtë” të elektoratit. Paçarizi shpjegon se ky elektorat është i papërcaktuar për ndonjë parti politike. Sipas tij, LDK-ja arriti të përfitojë një përqindje të mirë të këtij elektorati prej vitit 2021 e deri në shkurt 2025, kur u mbajtën zgjedhjet.