Pikat kryesore
- Gjatë qëndrimit të tij mbi një vit në qelitë e burgut 313 në Tiranë, Ilir Meta, figura më e lartë shtetërore e arrestuar nga SPAK, ka kryer mijëra telefonata e qindra takime.
- Megjithëkëtë, ai është ankuar tek Avokati i Popullit për trajtim çnjerëzor në burg.
- Inspektimi dhe raporti i nxjerrë nga Avokati i Popullit, tregon disa të dhëna interesante.
Gjatë qëndrimit të tij mbi një vit në qelitë e burgut 313 në Tiranë, Ilir Meta, figura më e lartë shtetërore e arrestuar nga SPAK, ka kryer mijëra telefonata e qindra takime. Megjithëkëtë, ai është ankuar tek Avokati i Popullit për trajtim çnjerëzor në burg. Inspektimi dhe raporti i nxjerrë nga Avokati i Popullit, tregon disa të dhëna interesante. “Për sa i takon numrit të telefonatave, për periudhën 26 Tetor 2024 deri më 18 gusht 2025, Z. Ilir Metaj rezulton se ka kryer 3005 telefonata, me kohëzgjatje që varion nga minimumi 1 minutë deri në maksimumi 34 minuta. Ilir Metaj ka realizuar: 118 takime me përfaqësuesin ligjor; 3 takime me noter; 49 takime me familjarët; 2 takime me persona jashtë rrethit familjar, në total 172 takime, ose 14 takime në muaj ” -thuhet në raport. Problemet e Ilir Metës nisën mbrëmjen e 9 qershorit të këtij vitit, ku, sipas raportit, “Metaj ka shfrytëzuar kontrollin mjekësor në infermieri për të kryer një telefonatë me Z. Tedi Blushi, megjithëse i është bërë thirrje që nuk lejohej, pasi ishte mbyllur orari i veprimeve. Gjithashtu, gjatë kohës së kryerjes së telefonatës me Z. Tedi Blushi, ky i fundit ndodhej në një studio televizive, të cilën Z. Ilir Metaj e ka shfrytëzuar për të komunikuar dhe zhvilluar edhe një intervistë me moderatorin e emisionit”. I njëjti episod u përsërit edhe me avokatin Kujtim Cakrani, më vonë, më 1 korrik. Për këto, Meta u ndëshkua duke mos i lejuar më takimet me z. Blushi dhe duke e përjashtuar nga aktivitetet sportive. “ Drejtues të IEVP “Jordan Misja” kanë informuar se “këto masavazhdojnë të jenë ende në fuqi dhe telefonatat e të gjitha të Z. Ilir Metaj me Z.Tedi Blushi, do të zgjasë deri në momentin e një vendimi të Komisionit Disiplinor”, pasi të vlerësohet nëse Z. Ilir Metaj ka tendencë për të përsëritur përdorimin e telefonatës me Z. Tedi Blushi, për të komunikuar me median ”,-thuhet në raport. Pas marrjes së ankesës dhe shqyrtimit paraprak, institucioni i Avokatit të Popullit ka kryer hetim administrativ në lidhje me pretendimet e paraqitura. Në përfundim të këtij hetimi ka rezultuar: “ Kufizimi i takimeve të të burgosurve në vetëm 4 takime në muaj, pa marrë parasysh rrethanat individuale të të burgosurve (p.sh. distanca e familjes, nevoja sociale, statusi shoqëror dhe publik, probleme shëndetësore, apo mungesa e kontakteve të tjera), përbën kufizim të tepruar të së drejtës për jetë familjare dhe të drejtës për t’u organizuar. Ndalimi i vizitave konfidenciale të të paraburgosurve me Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe Eurodeputetë, duke kërkuar miratimin paraprak të prokurorit, vjen në kundërshtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare. Kufizimi i telefonatave nuk është kryer sipas kritereve të parashikuara në ligj. Janë vendosur pengesa të pambështetura në ligj për komunikimin e të burgosurve me median ”,-thuhet në raport. Avokati i Popullit, në raportin drejtuar Drejtorisë së Burgjeve, rekomandon: 1.Të rishqyqrtohet menjëherë masa e kufizimit të komunikimeve telefonike dhe takimeve ndaj Z. Ilir Metaj. 2. Shuarjen e menjëhershëm të “masës së përkohshme” për ndalimin e komunikimit të Z. Ilir Metaj me Z. Tedi Blushi. 4. Të garantohet e drejta që të burgosurit të kryejnë më shumë se 4 (katër) vizita në muaj, kur kjo varet nga kapacitetet e IEVP, veçanërisht në rastet kur të burgosurit kanë nevojë të veçantë familjare, publike ose sociale. 5. Zbatimin me korrektësi të Ligjit nr. 81/2020, për të siguruar që deputetët të kryejnë vizita në IEVP dhe takime konfidenciale me të paraburgosurin, pa miratimin e prokurorit. 6. Të sigurohet që bisedat telefonike të të burgosurve të kufizohen vetëm me vendim të prokurorit ose gjykatës. 7. Marrjen e masave për të mos vendosur pengesa jo ligjore për komunikimin e të burgosurve me telefon me median, ku nuk kërkohet miratimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe i prokurorit.