Pikat kryesore
- Në kuadër të marrëveshjes parashikohet ndërtimi i nënstacioneve të reja në Shëngjin dhe Fushë-Krujë, rindërtimi i nënstacionit Shkodra 2, si dhe instalimi i sistemeve moderne të telekontrollit.
- Karakaçi kujtoi se vetëm gjatë viteve 2023–2026, OSHEE ka investuar rreth 32 milionë euro në qarqet veriore Shkodër, Lezhë, Kukës dhe Dibër.
- “ Janë ndërtuar dhe rikonstruktuar 2 nënstacione dhe disa linja 35kV, kemi shtruar mbi 600 km linjë të tensionit të mesëm dhe të ulët.
Kuvendi i Shqipërisë ka shqyrtuar sot marrëveshjen për ratifikimin e financimit të projekteve që synojnë përmirësimin e rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike në veri të vendit, pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019. Gjatë fjalës së tij, Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, e cilësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm për modernizimin e sektorit energjetik dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike. Ministri theksoi se objektivat kryesore të marrëveshjes janë rritja e sigurisë teknike të rrjetit, garantimi i furnizimit të qëndrueshëm, përballimi i kërkesës në rritje për zonat urbane, përmirësimi i treguesve të performancës dhe ulja e humbjeve teknike. Në kuadër të marrëveshjes parashikohet ndërtimi i nënstacioneve të reja në Shëngjin dhe Fushë-Krujë, rindërtimi i nënstacionit Shkodra 2, si dhe instalimi i sistemeve moderne të telekontrollit. Karakaçi kujtoi se vetëm gjatë viteve 2023–2026, OSHEE ka investuar rreth 32 milionë euro në qarqet veriore Shkodër, Lezhë, Kukës dhe Dibër. “ Janë ndërtuar dhe rikonstruktuar 2 nënstacione dhe disa linja 35kV, kemi shtruar mbi 600 km linjë të tensionit të mesëm dhe të ulët. Ai u ndal veçanërisht te qarku i Shkodrës, duke përmendur ndërtimin e nënstacionit të Velipojës dhe zgjerimin e rrjetit në zonat turistike, si dhe projektin e lidhjes energjetike Bogë–Theth, që për herë të parë do t’i japë Thethit furnizim të qëndrueshëm me energji. Në Lezhë është përfunduar ndërtimi i nënstacionit dhe fiderat që sigurojnë furnizimin e Shëngjinit, ndërsa në Dibër dhe Kukës janë realizuar investime në rrjetin e tensionit të mesëm e të ulët, përfshirë vendosjen e kabllove moderne në zonat turistike si Valbona. Ministri Karakaçi theksoi se falë këtyre investimeve, pritet që deri në vitin 2026 humbjet teknike të ulen në nivelin 16%, ndërsa arkëtimet të arrijnë 100%, duke e vendosur sistemin energjetik në një gjendje të shëndoshë financiare. Karakaçi u bëri thirrje deputetëve që të miratojnë marrëveshjen, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm për sigurinë energjetike të veriut dhe për përmbushjen e standardeve europiane në sektorin elektroenergjetik të vendit.