Pikat kryesore
- “Jeta e punëtorit nuk është kosto e biznesit”, “Paga dinjitoze për punëtorët” dhe “Nuk jemi makineri, jemi punëtorë me dinjitet”, ishin disa nga mesazhet kryesore të protestuesve.
- Gjatë protestës, punëtor por edhe organizatorë të këtij tubimi u shprehen se kjo ditë duhet të sjellë reflektim për kushtet e punës në vend.
- Sot është rritur numri i vdekjeve në vendin e punës me 45% krahasuar me një vit më parë.
Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, Unioni i Sindikatave të Shqipërisë zhvilloi një protestë para Ministrisë së Ekonomisë, ku dhjetëra punëtorë u mblodhën me pankarta në duar për të kërkuar më shumë siguri dhe të drejta në punë. “Jeta e punëtorit nuk është kosto e biznesit”, “Paga dinjitoze për punëtorët” dhe “Nuk jemi makineri, jemi punëtorë me dinjitet”, ishin disa nga mesazhet kryesore të protestuesve. Gjatë protestës, punëtor por edhe organizatorë të këtij tubimi u shprehen se kjo ditë duhet të sjellë reflektim për kushtet e punës në vend. “Sot kërkojmë të drejtat tona, të ardhmen që meritojmë. Është thirrje për drejtësi, barazi dhe të drejta në punë. Sot është rritur numri i vdekjeve në vendin e punës me 45% krahasuar me një vit më parë. Është dyfishuar numri i aksidenteve. Institucionet përgjegjëse nuk bëjnë kontrolle reale”, tha njëri prej tyre. Kërkesa kryesore ishte krijimi i një Ministrie të Punës, e fokusuar posaçërisht në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. “Duhet të ketë një Ministri Pune, veçanërisht për punëtorët. 1 maji është protestë, jo festë. Jo vdekje në punë. Duam siguri”, tha një nga organizatorët. Protestuesit ngritën shqetësimin për rritjen e aksidenteve në vendin e punës, duke kërkuar masa konkrete për garantimin e sigurisë. Sipas të dhënave të ISHP-së, vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar 212 aksidente në punë, nga të cilat 48 kanë përfunduar me humbje jete. Sektorët më problematikë mbeten ndërtimi, minierat dhe industria prodhuese.