Pikat kryesore
- Gjithashtu, ai vuri në shënjestër drejtimin e Edi Ramës, Malaj flet për “kapje të shtetit”, manipulim të votës dhe një klimë frike që, sipas tij, po mban në këmbë pushtetin.
- Paralelisht, ish-ministri paraqet kandidimin e tij si një akt mirënjohjeje dhe përgjegjësie ndaj Vlorës, duke premtuar një stil drejtimi më të hapur, më njerëzor dhe më të orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm.
- Z.Malaj, si e shihni klimën aktuale brenda Partisë Socialiste?
Ish-ministri socialist, Arben Malaj, ka një qasje kritike dhe njëkohësisht alternative ndaj zhvillimeve politike aktuale në vend, me fokus të veçantë te situata brenda PSsë dhe ambicia e tij për të kandiduar në Bashkinë e Vlorës. Në këtë intervistë për gazetën “Panorama”, me tone të forta, Malaj ngre alarmin për një parti që, sipas tij, ka humbur identitetin demokratik, është zhytur në korrupsion dhe është kthyer në një strukturë të centralizuar, ku mendimi ndryshe nuk ekziston më. Gjithashtu, ai vuri në shënjestër drejtimin e Edi Ramës, Malaj flet për “kapje të shtetit”, manipulim të votës dhe një klimë frike që, sipas tij, po mban në këmbë pushtetin. Nga çështja “Balluku”, tek apatia qytetare dhe mungesa e protestave, ai flet për një panoramë të errët të realitetit politik, ndaj sipas tij, një qeveri tranzitore, por jo e partive politike mund të kthejë besimin e shqiptarëve te vota e lirë. Paralelisht, ish-ministri paraqet kandidimin e tij si një akt mirënjohjeje dhe përgjegjësie ndaj Vlorës, duke premtuar një stil drejtimi më të hapur, më njerëzor dhe më të orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm. Z.Malaj, si e shihni klimën aktuale brenda Partisë Socialiste? Z.Malaj, si e shihni klimën aktuale brenda Partisë Socialiste? PS ka sfida shumë të mëdha, së pari për të kaluar nga një parti e kryetarit, në një parti të anëtarëve të saj. Pa e fituar këtë sfidë të brendshme, PS-ja do të venitet në misionin e saj si një forcë politike demokratike dhe qeveritë e saj do të jenë përherë e më të prekura nga korrupsioni dhe kapja e shtetit, siç po ndodh aktualisht. A ka sot PS-ja hapësirë për mendim ndryshe apo dominon një model i centralizuar vendimmarrjeje? Fatkeqësisht jo. Mendimi ndryshe dhe liria e mendimit të lirë janë shkelur rëndë që ditën e parë që Edi Rama mori drejtimin e një prej partive më demokratike në vend, duke hequr kështu edhe një model referues pozitiv dhe inspirues, për të cilin ka nevojë ambienti shoqëror dhe politik shqiptar. Vdekja klinike e mendimit të lirë dhe mendimit ndryshe u bë me ndryshimet kushtetuese në 2008, ku u vërtetua edhe vëllazëria siameze e Ramës me Berishën. PS shkon në zgjedhjet e ardhshme lokale me një faturë të madhe mbi supe, atë të korrupsionit qeveritar. Sipas jush, sa do ta dëmtojë atë në zgjedhje? Po, shembulli konkret është Vlora, ku pjesëmarrja në votime si për zgjedhjet parlamentare, edhe për bashkinë është e paimagjinueshme dhe e papranueshme, përveç faktit se sa shumë është rritur zhgënjimi dhe mosbesimi tek ‘Rilindja’. Si e shpjegoni mbështetjen e vazhdueshme që PS-ja i jep Belinda Ballukut, pavarësisht se është marrë e pandehur nga SPAK dhe ka akuza të forta për afera korruptive? Vlerësoj se edhe vetë znj.Balluku nuk duhet të pranojë të keqtrajtohet nga Rama në emër të besnikërisë. Patjetër, gëzon prezumimin e pafajësisë, por ka raste në politikë që politikanët i bëjnë një shërbim vendit duke bërë një ose dy hapa pas. Pa pranuar fajësinë pa vendim gjyqi, por duke investuar për kredibilitetin publik edhe pa mandat publik si ministre apo deputete, edhe përgjegjësi për të mos vonuar apo bllokuar perspektivën evropiane të vendit të saj. A rrezikon kjo situatë besueshmërinë e PS-së në sytë e qytetarëve? Patjetër. Rama fiton jo nga sukseset ekonomike, por nga sukseset e jashtëzakonshme të ndikimit abuziv dhe patronazhistëve në kërcënimin dhe vjedhjen e votave. Populli shqiptar ka një shprehje shumë domethënëse për mbretërit lakuriq: “Nuk mbulohet dot dielli me shoshë”. Diellin verbues të korrupsionit, kapjes së shtetit dhe babëzisë nuk e mbulon dot asnjë shoshë oborrtare. Cila është zgjidhja sipas jush, sa imediat është rotacioni politik në Shqipëri? Fillimisht duhet një qeveri tranzitore, por jo e partive politike. Kjo rikthen besimin se vota nuk do të vidhet, krijohet shpresë dhe angazhimi i kërkuar politik i shumicës së shqiptarëve dhe vlonjatëve. Pse shqiptarët nuk ngrihen kundër qeverisë, pavarësisht abuzimit të qeveritarëve me taksat e tyre? Këtë e qartëson një profesor i Yale University, i cili thekson se: “Kur votuesit humbasin besimin se vota e tyre sjell ndryshim, autokratët vijnë në pushtet pa tanke”. Ndaj thelbi i fushatës sime në Vlorë është të rritim pjesëmarrjen. Nuk ka qeveri, sado hajdute dhe e kriminalizuar të jetë që mund të mbytë vullnetin e qartë të disa qindra mijëra votuesve. Fitoren time e synoj në rritjen e ndërgjegjësimit të votuesve vlonjatë. Masivizimi i tyre në votime mbyt në mënyrë demokratike çdo skemë hajdute të votave. Në këtë mjedis politik, ju keni kandidaturën për garën e kryebashkiakut të ri të Vlorës. Sa reale është ambicia juaj në këtë rast dhe çfarë ju motivon konkretisht? E plotë, e qartë, e panegociueshme për të bërë hap pas. Mirënjohje e thellë e përditshme dhe e përhershme si edhe deri sot për Vlorën dhe vlonjatët, që më kanë inspiruar, mbështetur dhe promovuar në rrugëtimin e vështirë njerëzor, publik, akademik dhe politik. Pse ky vendim si kandidat i pavarur, ndërkohë që angazhimi juaj politik ka qenë prej vitesh në PS? Kur një derë u mbyll më 2013-ën, patjetër portat/horizonti i pakufizueshëm i Vlorës e lehtësojnë këtë angazhim të përkushtuar. U jam mirënjohës gjithë socialistëve, por në asnjë rast nuk do të konkurroja, për asnjë post publik, me logon e lyrosur të rilindasve të babëzitur. Kjo është një vijë e kuqe që nuk do ta shkel kurrë. Po e ripërsëris: kurrë nuk do të jem kandidat i ‘Rilindjes’ së babëzitur, të korruptuar dhe të kapur nga interesa të pista jo vetëm personale. A keni pasur bisedime me PS që të merrnit mbështetjen e saj për ambicien tuaj? Jo, sepse nuk është më PS-ja. Çfarë doni të thoni se nuk është më PS-ja? ‘Rilindja’ në thelbin e saj aktual nuk ruan më asnjë vlerë të PS-së si parti demokratike e fjalës e mendimit të lirë dhe mendimit ndryshe. Cilat kanë qenë reagimet pas deklaratës suaj për garën e Vlorës? Shumë pozitive. Po ju them vetëm një fakt: në momentin që e bëra prezent këtë ambicie pozitive, detyruese dhe mirënjohëse ndaj Vlorës, e kanë parë këtë postim rreth 178 mijë veta. Kam mesazhe shumë inkurajuese dhe të sinqerta nga personalitete dhe të rinj të diasporës. Ndjej respekt kur kaloj rrugëve të Vlorës. Unë jam bashkërritur me Vlorën dhe vlonjatët e kjo më krijon premisë pozitive për këtë konkurrim. Çfarë keni konkretizuar deri tani lidhur me garën për Vlorën? Nuk dua kurrë t’i lodh vlonjatët me një vit fushatë para nisjes së saj zyrtare, siç bën Rama. Fushata ime do të jetë derë më derë, mirënjohëse, pozitive, paqësuese dhe bashkëpunuese. Larg sulmeve dhe akuzave shpifëse. Fushata zyrtare do të jetë vetëm brenda afatit njëmujor që përcakton Kodi Zgjedhor, por puna ime për të njohur problematikën, zgjidhjet për problemet e pazgjidhura prej dekadash ka filluar. Një grup ekspertësh, pa asnjë preferencë specifike politike, kanë filluar të angazhohen për prioritetet dhe sfidat konkrete të Vlorës. Cilat janë avantazhet tuaja në këtë garë?