Hoxha takon Kos në Bruksel: Perspektiva evropiane e Shqipërisë e ndërtuar mbi standardet…

Hoxha takon Kos në Bruksel: Perspektiva evropiane e Shqipërisë e ndërtuar mbi standardet…

Pikat kryesore

  • Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u takua këtë të hënë, 20 prill, në Bruksel me Komisioneren për Zgjerimin të Bashkimit Evropian, Marta Kos.
  • Zgjedhja e Shqipërisë, sipas Hoxhës, është e qartë se ” rruga e saj drejt BE-së është e ndërtuar mbi angazhime të forta, reforma të qëndrueshme dhe rezultate konkrete.
  • Përgjatë takimit u theksua edhe rëndësia e një komunikimi të qartë mbi përfitimet dhe mbi përgjegjësitë e zgjerimit, me synim rritjen e mbështetjes publike dhe nxitjen e transparencës.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u takua këtë të hënë, 20 prill, në Bruksel me Komisioneren për Zgjerimin të Bashkimit Evropian, Marta Kos. Përmes një postimi në rrjete sociale, Hoxha njoftoi se në fokus të këtij takimi ishte procesi i avancuar i negociatave të anëtarësimit, me theksin te rëndësia e ruajtjes së momentumit aktual dhe vijimit përpara me konsistencë në këtë rrugë. Zgjedhja e Shqipërisë, sipas Hoxhës, është e qartë se ” rruga e saj drejt BE-së është e ndërtuar mbi angazhime të forta, reforma të qëndrueshme dhe rezultate konkrete. “ Ministri i Jashtëm shtoi se në takim “diskutuam gjithashtu zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes, i cili, në rastin e Shqipërisë, përplotëson procesin e anëtarësimit në BE dhe sjell përfitime të prekshme për qytetarët.” Hoxha nënvizoi se harmonizimi i vazhdueshëm me standardet e BE-së, forcimi i sundimit të ligjit dhe i një gjyqësori të pavarur e profesional, si dhe progresi i qëndrueshëm në të gjithë grupkapitujt e negociatave mbeten prioritetet e qeverisë. Përgjatë takimit u theksua edhe rëndësia e një komunikimi të qartë mbi përfitimet dhe mbi përgjegjësitë e zgjerimit, me synim rritjen e mbështetjes publike dhe nxitjen e transparencës. Nga ana e saj, Komisionerja Marta Kos vlerësoi progresin e arritur nga Shqipëria dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave, duke rikonfirmuar se procesi i zgjerimit mbetet një proces i bazuar në meritë.

Lini një Përgjigje