Pikat kryesore
- Demokratët zbuluan reformën alternative territoriale përballë asaj të socialistëve.
- Varianti i propozuar nga PD nuk ndryshon shumë në kohë dhe në cilësi.
- I qëndron filozofisë për shtim numri bashkish dhe më shumë copëzim të territorit, këtë herë propozohet 100 bashki dhe 12 qarqe ose 6 rajone.
PS më pak, PD më shumë bashki. Demokratët zbuluan reformën alternative territoriale përballë asaj të socialistëve. Varianti i propozuar nga PD nuk ndryshon shumë në kohë dhe në cilësi. I qëndron filozofisë për shtim numri bashkish dhe më shumë copëzim të territorit, këtë herë propozohet 100 bashki dhe 12 qarqe ose 6 rajone. Harta e propozuar nga bashkëkryetari demokrat Luçiano Boçi me 39 bashki me shume, duket një hapje thesi, me synimin për të kënaqur të gjithë, jo vetëm rikthimi i bashkive të Orikumit apo Sukthit, por edhe shndërrimi i fshatrave apo ish-komunave si Ndroqu, Kashari, Petrela apo Bradasheshi në Bashki më vete. “PS ka një projekt që niset nga konsolidimi, centralizimi. PD ka një filozofi tjetër, decentralizimit, shërbim më afër dhe më cilësor si dhe përfaqësim të denjë për qytetarët”, tha Boçi. Boçi sfidoi PS të hedhin dy variantet në referendum nga populli, në mënyrë që të përcaktohet me votë se kush fiton. “Kushtetuta jonë parashikon referendum. Duhet të marrë parasysh mendimi i popullit. Si në ndarje si në bashkim të kufijve. S’bëhen pa konsultim paraprak, mundësisht me referendum. Të bëjmë referendum, të dyja projektet”, shtoi ai.