Pikat kryesore
- Tryeza u zhvillua ne kontekstin e hapjes nga Shqiperia të grupkapitujve të negociatave me Bashkimin Europian, përfshi grupkapitullin e themeloreve.
Ministri i Drejtësisë Toni Gogu mori pjesë sot në tryezën tripalëshe me përfaqësues të Komisioneve Ligjore dhe Këshillave të Lartë Gjyqësorë dhe të Prokurorisë, duke ndarë mësimet e reformës shqiptare në drejtësi dhe duke diskutuar mbi sfidat e fazës pas vettingut. Tryeza mblodhi përfaqësues nga Komisionet Parlamentare per Çështjet Ligjore dhe nga Këshillat e Lartë Gjyqësore dhe të Prokurorisë të të tria vendeve, me fokus të veçantë në dy tema: rolin e parlamentit si motor i refomës gjyqësore dhe bashkëpunimin institucional ndërkufitar si mekanizem i qëndrueshmërisë demokratike. Në fjalimin e tij përshëndetës, Ministri Gogu evidentoi tre dimensionet e rolit parlamentar në reformën shqiptare: hartimi dhe miratimi i paketës kushtetuese dhe ligjore të vitit 2016, procedurat e zgjedhjes së anëtarëve jogjyqtarë të KLGJ dhe KLP, dhe mbikqyrja institucionale nëpërmjet raportimeve dhe dëgjesave parlamentare. Fjalimi u ndërtua mbi dy referenca akademike me rëndësi: argumentin e Daron Acemoglu dhe James Robinson në librin Korridori i Ngushtë – se liria dhe shteti i së drejtës janë produkt i balancës dinamike ndërmjet institucioneve, jo i vullnetit të njëanshëm politik — dhe tezën morale të Lord Tom Bingham në Sundimi i Ligjit, sipas të cilit sundimi i ligjit nuk kërkon vetëm ligje formalisht të rregullta, por institucione që mbrojnë qytetarin edhe nga shteti vetë. Ndër investimet e prezantuara: buxheti i konsoliduar i institucioneve të drejtësisë për 2026 arrin 296 milionë euro; Gjykata e Lartë ka reduktuar dosjet e prapambetura me 60% që nga viti 2020; dhe sistemi JURONIX do të digjitalizojë mbi 13 milionë faqe vendimesh gjyqësore që nga viti 1950. Tryeza u zhvillua ne kontekstin e hapjes nga Shqiperia të grupkapitujve të negociatave me Bashkimin Europian, përfshi grupkapitullin e themeloreve. Tryeza do të vijojë me seancat e punës ku delegacionet do te trajtojne konkretisht: mekanizmat e mbikqyrjes parlamentare të organeve gjyqësore pa cënuar pavarësinë e tyre; mësimet e Rumanisë nga faza e pas-vettingut; dhe sfidat e Moldavisë në ndërtimin institucional nën presione politike dhe gjeopolitike.