Pikat kryesore
- Mjekja Mereme Sela ka reaguar ekskluzivisht për “Studio Live” në Report TV për refuzimin e padisë së saj nga Gjykata e Tiranës për mohimin e kandidimit në garën e PD për kryetar.
- Mjekja nga Fushë-Kruja shkruan se nuk është thirrur në gjykatë a ndonjë institucion tjetër lidhur me padinë dhe sapo kjo të ndodhë, do të informojë menjëherë.
- As nuk më ka lajmëruar asnjë institucion drejtësie apo politik në Shqipëri në lidhje me padinë e ngritur nga ana ime.
Mjekja Mereme Sela ka reaguar ekskluzivisht për “Studio Live” në Report TV për refuzimin e padisë së saj nga Gjykata e Tiranës për mohimin e kandidimit në garën e PD për kryetar. Mjekja nga Fushë-Kruja shkruan se nuk është thirrur në gjykatë a ndonjë institucion tjetër lidhur me padinë dhe sapo kjo të ndodhë, do të informojë menjëherë. Sela nënvizon se do t’u shkojë gjërave deri në fund. “Mua nuk më ka thirrur akoma asnjë në gjykatë. As nuk më ka lajmëruar asnjë institucion drejtësie apo politik në Shqipëri në lidhje me padinë e ngritur nga ana ime. Në momentin që unë do të thirrem apo do të lajmërohem për seancë apo dhomë këshillimi siç e thotë ligji, do ju bëj me dije. Unë do i shkoj gjërave deri në fund, të bardhës i them e bardhë, e të zezës e zezë”, ka thënë Sela. Vladimir Mulaj, një tjetër kandidat që shprehu aspiratën për garën për kryetar, por gjithashtu u përjashtua prej saj, tha: “Për këtë padi nuk kam dijeni, nuk kam informacion, nuk e di”, u shpreh ai. Mereme Sela çoi në gjykatë zgjedhjet në PD, pasi ajo pretendonte se është lënë pa të drejtë jashtë garës së 23 majit. Kandidimi iu refuzua edhe Ervin Salianjit, Alesia Balliut e Evi Kokalarit, të cilët deri më tani nuk kanë bërë asnjë ankimim, duke lënë të vetëm në garë Sali Berishën. Sipas padisë së Selës, tashmë të papranuar, ajo akuzonte Partinë Demokratike me argumentin se u përjashtua nga gara me një vendim të paarsyetuar, të pamotivuar dhe në mungesë transparence procedurale. Sela thoshte se përjashtimi u bë “në shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave të saj statutore dhe parimit të barazisë në konkurrim.” Ajo kërkonte pezullimin e procesit të zgjedhjeve të 23 majit e më tej pranimin e kandidaturës së saj.