FT: Aeroplani i Ursula von der Leyen u godit nga ndërhyrje të dyshuara të GPS-it rus

FT: Aeroplani i Ursula von der Leyen u godit nga ndërhyrje të dyshuara të GPS-it rus Një incident i rëndë i dyshuar si sulm rus i pengimit elektronik raportohet se ndodhi të dielën në Bullgari, kur avionit të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, iu ndërpre sinjali GPS gjatë afrimit në aeroportin e Plovdivit.

Si pasojë, avioni u detyrua të ulet duke përdorur harta letre dhe mjete analoge të navigimit.

Sipas tri burimeve të njohura me situatën, të cilat folën për Financial Times , incidenti po trajtohet si operacion i qëllimshëm i pengimit nga ana e Rusisë.

“E gjithë zona e aeroportit mbeti pa sinjal GPS,” tha njëri prej burimeve.

Pas afro një ore në ajër, piloti vendosi të bëjë ulje manuale me ndihmën e hartave të shtypura.

“Ishte e qartë se bëhej fjalë për ndërhyrje të qëllimshme,” shtoi ai.

Kërkesa për koment është dërguar si te Kremlini, ashtu edhe te Komisioni Evropian, ndërsa autoriteti bullgar i kontrollit të trafikut ajror e ka konfirmuar incidentin për Financial Times.

Në një deklaratë, ky institucion njoftoi: “Që nga shkurti i vitit 2022 kemi vërejtur rritje të madhe të rasteve të pengimit të GPS-it, ndërsa kohët e fundit edhe të manipulimeve të sinjalit.

Këto sulme dëmtojnë saktësinë e navigimit dhe krijojnë probleme serioze si për avionët, ashtu edhe për sistemet tokësore.” Ndërhyrja dhe manipulimi i sinjalit GPS, që më herët ishte praktikë ekskluzive e ushtrisë për mbrojtjen e lokacioneve të ndjeshme, tashmë po përdoret gjithnjë e më shumë nga shtete si Rusia për të ndërhyrë në jetën civile.

Qeveritë e vendeve anëtare të BE-së kanë paralajmëruar për rritjen shqetësuese të rasteve të tilla në rajonet pranë Rusisë, veçanërisht në vendet baltike dhe Evropën Lindore.

Sipas tyre, ndërhyrjet në GPS “verbojnë” avionët civilë dhe mund të çojnë në ndonjë aksident ajror të madh.

Këto ndërhyrje nuk prekin vetëm avionët, por edhe anijet dhe qytetarët që përdorin GPS-in në përditshmëri.

Ursula von der Leyen udhëtoi nga Varshava për në Plovdiv, ku u takua me kryeministrin bullgar Rosen Zhelyazkov dhe vizitoi një fabrikë municioni.

Kjo vizitë ishte pjesë e turneut të saj në vendet që janë në vijën e parë të përballjes me agresionin rus në Ukrainë, me qëllim forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të BE-së.

Pas vizitës, presidentja e Komisionit u largua nga Plovdivi me të njëjtin avion pa asnjë problem.

Rashiq kundër që Lista Serbe të shpallet organizatë terroriste: S’është zgjidhja e duhur Basha thotë se dështoi mbledhja e kryesisë së Kuvendit për shkak të mungesës së kuorumit Retkoceri i PDK-së: Komuna e Prishtinës është në kolaps financiar, i janë bllokuar xhirollogaritë Nis mbledhja e “Kryesisë së Kuvendit”, veç Dimal Basha, Albulena Haxhiu dhe Emilja Rexhepi pjesëmarrës SBASHK-u shpreson për një qeveri të re që do t’i zgjidhë kërkesat e punëtorëve të arsimit “pa pasur nevojë për protesta e greva” FT: Aeroplani i Ursula von der Leyen u godit nga ndërhyrje të dyshuara të GPS-it rus

Lini një Përgjigje