Në fshatin Bllagajë të Pejës u mbajt sot ceremonia mortore për 15-vjeçarin Eldion Kelmendi, vëllain e reperit të njohur Gjesti, i cili humbi tragjikisht jetën në një aksident me motor. Ceremonia u zhvillua pasditen e sotme, në orën 17:00, me praninë e familjarëve, miqve të ngushtë dhe shumë fytyrave të njohura të showbiz-it shqiptar.

Në një atmosferë të mbushur me dhimbje dhe emocione të forta, Gjesti nuk mundi t’i përmbante lotët gjatë lamtumirës së fundit për vëllain e tij. Pamjet nga momenti kur ai përqafohet me miqtë e tij të afërt kanë prekur publikun në rrjetet sociale.
Mes të pranishmëve ishin edhe emra të njohur si këngëtarja Dafina Zeqiri, Egli Tako dhe Yll Limani, të cilët u bashkuan për t’i dhënë mbështetje artistit në këtë moment të vështirë. Të gjithë respektuan heshtjen dhe seriozitetin e ngjarjes, duke nderuar kujtimin e të ndjerit dhe duke treguar solidaritet me familjen Kelmendi.