Pikat kryesore
- Para udhëtimit për në Kroaci, Sali Berisha ka marrë të gjitha masat për të qenë i vetmi kandidat në garën për 23 maj.
- Me një vendim të KOKOE, drejtuar nga deputetja Albana Vokshi, gjithë të interesuarve për të kandiduar për kryetar u është lënë afat deri të enjten, ora 12:00, për të dorëzuar kandidaturën.
- Vendimi në dokumentin e PD është firmosur në datën 18 mars, por është publikuar vetëm më 29 prill.
Vetëm 1 ditë afat për të kandiduar për kryetar të PD. Para udhëtimit për në Kroaci, Sali Berisha ka marrë të gjitha masat për të qenë i vetmi kandidat në garën për 23 maj. Me një vendim të KOKOE, drejtuar nga deputetja Albana Vokshi, gjithë të interesuarve për të kandiduar për kryetar u është lënë afat deri të enjten, ora 12:00, për të dorëzuar kandidaturën. Vendimi në dokumentin e PD është firmosur në datën 18 mars, por është publikuar vetëm më 29 prill. Duket se jo pa qëllim. U lihet vetëm 24 orë kandidatëve të interesuar të dorëzojnë dokumentacionet. Por, bashkë me dokumentacionin, përcaktohen edhe kriteret për të qenë një kandidat. Duke filluar nga detyrimi për të qenë anëtar i PD me profil të lartë publik dhe politik, angazhimin të paktën 10 vite në PD, eksperienca drejtuese në nivel kombëtar apo rajonal, si dhe integriteti nëse ka ushtruar funksione publike. Po interesante janë kriteret. Ndër to, edhe pastërtia e figurës. Një sërë kushtesh këto që dukshëm synojnë të pengojnë të vetëpërjashtuarin Ervin Salianji. Edhe pse nuk ka vendim kolegjial për përjashtimin e tij si anëtar i PD, çështje të cilën tani Berisha ia ka lënë ta zgjidhë Vokshit, gjithashtu Salianji ka dhe një njollë penale në CV-në e tij, dënimin me burg për kallëzim të rremë. Vonesa për të publikuar afatin e kandidimit shoqërohet edhe me urgjencën për të thirrur mbledhjen e kuvendit kombëtar të PD. Më herët ishte vendosur për në datën 6 qershor, PD njofton se e ka afruar datën më 30 maj. Në axhendë bie në sy se janë planifikuar edhe ndryshimet statutore të propozuara nga grupi i punës drejtuar nga Gazment Bardhi, ndryshime që ai i mban mbyllur në sirtarin e tij të madh të sekreteve. Bashkë me statutin, edhe një ‘fshesë’ në Këshillin Kombëtar të PD. Por, ka vetëm një ndryshim që rrezikon Berishën në garën e vetmuar, nenin Basha. Nenin që e vendosi vetë, por i cili sot e shkarkon automatikisht dhe nuk e lejon Berishën të rikandidojë për kryetar pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Paralajmërimet për ta çuar në Gjykatë Berishën bashkë me nenin Basha janë i vetmi shqetësim i doktorit, pasi në betejat ligjore e ka humbur edhe më herët karrigen e kryetarit, bashkë me logon dhe vulën e PD. Berisha po nxiton të rizgjidhet kryetar më 23 maj dhe të heqë nenin Basha më 30 maj, që në Gjykatë të shkojë me statutin e ri dhe pushimet verore t’i kalojë të qeta, gjithmonë si kryetar i PD. Opozita pret deri në shtator. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! Vetëm 24 orë afat për dorëzimin e kanididaturave në PD/ Gazetari: Nëse çështja shkon në gjykatë, ngërç në parti. Frika e Berishës… Sondazhi i ABC News: PS dominon fshatin dhe qytetin.