Pikat kryesore
- Në protestën e kësaj të shtune janë bërë thirrje të bashkohen edhe shqiptarët e diasporës.
- Berisha, me ndjenjën e përkatësisë së kësaj proteste, paralajmëron Ramën të mos guxojë të dhunojë qytetarët, siç thotë ai se ndodhi të enjten përpara parlamentit.
- Sot qindra mijëra shqiptarë po vërshojnë nga toka, deti, ajri, nga të katër anët e Shqipërisë dhe të katër anët e botës, për në kryeqytetin e vendit.
Në protestën e kësaj të shtune janë bërë thirrje të bashkohen edhe shqiptarët e diasporës. Berisha, me ndjenjën e përkatësisë së kësaj proteste, paralajmëron Ramën të mos guxojë të dhunojë qytetarët, siç thotë ai se ndodhi të enjten përpara parlamentit. “Sot është dita e kombit shqiptar. Sot qindra mijëra shqiptarë po vërshojnë nga toka, deti, ajri, nga të katër anët e Shqipërisë dhe të katër anët e botës, për në kryeqytetin e vendit. Sot është dita në të cilën Edi Rama, në rast se i ka mbetur edhe vetëm një nanogram arsye, jep dorëheqjen një minutë e më parë. Mos të të rrejë mendja se vërtet ti ke falangat e policisë dhe forcën e mjeteve të tyre. Po dije një gjë: historia ka faktuar se fuqinë nukleare e ka sovrani, e ka populli. Dhe mos guxo, mos guxo të tentosh të matesh me popullin. Zemërimi i popullit, hakmarrja e popullit është tashmë e mirënjohur si fuqi nukleare njerëzore.” Kryedemokrati kujtoi se kërkesën e protestuesve për qeveri teknike e ka kërkuar e para opozita e tij, sikurse edhe kërkesat e tjera për shfuqizimin e ligjeve, të cilat i kanë depozituar si amendamente në Kuvend, bashkë me mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, por nuk pranohen nga socialistët. Për këtë arsye, demokratët do të qëndrojnë jashtë parlamentit derisa kërkesat e tyre të merren në konsideratë. “Nuk pranon mocionet të cilat janë të përcaktuara në kushtetutë. Ne kemi depozituar, por edhe një sqarim do bëj këtu: ka tre javë që kemi depozituar në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për ndryshimin e ligjeve të kërkuara nga përfaqësia e protestës. Kryetari i parlamentit, dhe në veçanti Taulant Balla, nuk pranon t’i fusë në rendin e ditës. Për këtë arsye, grupi parlamentar vendosi të mos paraqitet në seancë plenare derisa të paraqiten amendamentet për ndryshimin e ligjeve që kërkojnë përfaqësuesit e protestës”. 4 korriku është festa e Pavarësisë së SHBA-së, për të cilën Berisha bëri urimin e tij, por është edhe dita e lindjes së Edi Ramës, për të cilin në vend të mesazhit të urimit dha një këshillë : “Jep dorëheqjen para orës 19:00…”