Pikat kryesore
- Ata synuan gjetjen e përkrahësve të fortë për çështjen kombëtare në kancelaritë më të mëdha, ndërsa publicistika e penave shqiptare në gazetat dhe revistat, që botoheshin nga patriotët në emigracion, godiste fortë.
- Por për fatin e keq të kombit, për këto përpjekje, dallon gati si një mallkim fakti, që qysh para një shekulli, krahët politikë shqiptarë jo rrallë, punonin nën rrogoz kundër çështjes kombëtare.
- Arkivat ende të pastudiuara, kërkojnë urgjencë në zbardhjen e të vërtetave historike pa dorashka.
“Ashtu u jepte dorë z.Bahri Omarit, por tashti ky zotni u zhduk nga “Dielli” dhe nuk besoj të ketë mbirë ndonjë tjetër kërpudhë si ay…”!/ Letra e panjohur e Sotir Koleas e vitit 1920 Sotir Kolea në janar 1920, i kërkonte Parashqevi Qiriazit të ndikonte tek Presidenti amerikan, për mbrojtjen e çështjes kombëtare: “Puna e jonë ka mbetur ndër duart e Amerikës m’u porsi puna e Fjumesë”. Kur çështja shqiptare në Konferencën e Parisit në fillim-shekullin e XX-të ishte në rrezik nga interesat shoviniste të fqinjëve, përpjekjet e një grupi patriotësh, që nuk ishin pjesë e delegacionit shqiptar, ishin të mëdha. Ata synuan gjetjen e përkrahësve të fortë për çështjen kombëtare në kancelaritë më të mëdha, ndërsa publicistika e penave shqiptare në gazetat dhe revistat, që botoheshin nga patriotët në emigracion, godiste fortë. Por për fatin e keq të kombit, për këto përpjekje, dallon gati si një mallkim fakti, që qysh para një shekulli, krahët politikë shqiptarë jo rrallë, punonin nën rrogoz kundër çështjes kombëtare. Në fondin Sotir Kolea në letërkëmbimet me Parashqevi Qiriazi në vitet ’20-të të shekullit të kaluar, kupton se çfarë ndodhte nën dhe mbi rrogozet e atyre, që ne kemi konsideruar prej shumë kohësh dhe jo pak, si patriotë të mëdhenj të kombit. Arkivat ende të pastudiuara, kërkojnë urgjencë në zbardhjen e të vërtetave historike pa dorashka. Nga Lozana, në 9 janar 1920, Kolea me bashkëpunëtorin në revistën ‘D’Albanie’, Hilmi Këlcyra, në një letër Parashqevi Qiriazit, që aso kohe jetonte në SHBA-ës, në Boston, kërkonin përpjekjet për të trokitur në çdo kancelari për çështjen shqiptare. Kjo çështje kërkonte njerëz besnikë të çështjes kombëtare. Një prej tyre ishte Parashqevi Qiriazi. “Zonjë e ndershme dhe atdhetare e vlejturë”. “Zonjë e ndershme dhe atdhetare e vlejturë, Thika mbi shqiptarët arriti gjer më ashtë, tashti është lufta e fundit vdesim, o rrojmë, do të ndahet për pak kohë, andaj gjithë ata që kanë zemrën të zhuritur nga malli për Shqipërinë, gjithë ata që nuk kanë pasur në jetë të tyre tjetër ëndërr përveç lirijëse dhe mbarësijës së Atdheut, ngjan tashti më se kurdo, të vënë fuqinë e tyre për të prapsur dëshpërimin. Se dëshpërimi është vdekja, shqiptarët ende nuk kanë vdekur dhe Shqipëria nuk do të vdesinjë. Ju zonjë që keni marrë një pjesë kaq të madhe ndë luftën e shenjtë, që keni vënë botë –a- botë fuqinë tuaj për t’i bërë ballë rrezikut të jashtëm dhe për të shkundur fatkeqësijën e brendshme, ju prapë kini detyrë të madhe të përpiqi sa më shumë tashti, që është dhe ndahet fati i Shqipërijësë. Puna e jonë ka mbetur ndër duart e Amerikës, mu porsi puna e Fjumesë. Me gjithë që Amerika sikur paska dëftuar se nuk do përzihet ndë punë të Europëse, prapë të mëdhenjtë e kësaj ane, nuk guxojnë të lidhin gjë prej gjëje pa volinë e pëlqimin e saj. Nevoja që kanë prej saj dhe frika që kanë për shoqi-shoqin, i shtrëngon që të ecin ndë këtë udhë. Shpresat tona nga ana e përtej Atlantikut, janë fare të ftohta. Franca nuk ka ndryshuar mëndje qysh në 1912, e mahniturë prej grekëve të z. Venizell dhe pas serbëve të z. Pashiq, nuk ka sy të shohë kombe të tjerë, as të dëgjojë klithmën e atyre, që gjinden ndë rrezik vdekje. Këtë gjë e patë më mirë dhe ju vetë sa kohë që ndenjët në Paris. Italia, po ajo e gjithë jetës, diplomatët e saj kanë harruar ç’është të skuqurit përpara gënjeshtrës, tashti ndë këtë luftë e sipër dhe pas saj, i vunë kulmin e turpërimit. Zoti Klemaso u shtrëngua të thotë ufiqërisht përpara botës se, diplomatët e Italisë hëngrën fjalën që u kishin dhënë Frëngjëjve dhe Inglezëve. Pasi e mbaruan me Greqinë mbi kurriz të Shqipërisë, me Korçën, Gjinokastrën dhe Khimarën do të paguhet Greqia, me Shkodrën dhe malësijën e fushës së saj, do të paguhen Jugosllavët. Këto na punon mikja e Libohovasve, e Turhanit dhe e sogërijës së tyre. Tashti për së fundi, e rrëfyen plot gojën qëllimin e tyre pas fjalëve, u erdhi radha veprës. Gjaku që u derdh ndë Vlorë të 28-në e Vjeshtës së Tretë, gjaku dhe zjarri i Hormovës dhe kaq e kaq të tjera gjakëra dhe zjarre, na janë provë e aftëtë për jetën që na pret ndënë thonjët e Sonnino / Tittonervet. Sa për nga ana jonë, këto kishim si dhe ju trajtuam që në krye të herës, që kur pamë Qeverinë e Romës të përkrahnin gjithë sa vagabondë numërohen ndër shqiptarët faqezezë, vepra e Kushullatës së këtushme me Turhan Përmetin, Tahsin Mesarenë (ata të Selanikut) Viska Dodaninë (atë të Dhjatës së Tërpos) dhe me ca zagarë të tjerë si këta, na qe me aftë, andaj që ndë krye të herës, nuk pushuam së protestuari dhe së ngrituri zërin kundër të punuarve të Italisë mbi kurriz të Shqipërisë.