Arti shqiptar në zi! Vdes në moshën 89-vjeçare regjisori i njohur Dhimitër Anagnosti

Ka vdekur në moshën 89-vjeçare regjisori i shquar shqiptar Dhimitër Anagnosti.

Lajmin e hidhur e ka bërë publik vajza e tij, Juna Anagnosti përmes një postimi në rrjete sociale.

Dhimitër Anagnosti lindi në Vuno më 23 janar 1936 është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX.

Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.

Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964).

Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”.

Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”.

Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare.

Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë, shkruan tch.

Anagnosti ishte njeriu i mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, me një kurajë qytetare, e cila e ka vënë shpesh në shënjestër të mediokërve.

Anagnosti ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë.

Lini një Përgjigje