Një nga reperët më të famshëm shqiptarë, Mozzik, është arrestuar mbrëmjen e sotme në aeroportin e Prishtinës, në një ngjarje që ka bërë bujë të madhe në rrjete sociale. Burime policore bëjnë të ditur se ndalimi i tij lidhet me dyshime të forta mbi prejardhjen e dy orëve luksoze, njëra prej të cilave ka kapur vlerën marramendëse të 1.5 milionë eurove.
Bëhet fjalë për një Richard Mille me kornizë transparente prej safiri kristali dhe rrip të bardhë, një model i rrallë që shitet vetëm për klientë ultra-ekskluzivë. Mozzik e kishte ekspozuar orën vetëm disa orë më parë në rrjetet sociale, duke shkruar: “Welcome home baby Richard Mille!”.

Por ky luks nuk kaloi pa u vënë re. Dogana ngriti dyshime mbi origjinën dhe deklarimin e orës, çka solli ndalimin e tij dhe shoqërimin në mbajtje për 24 orë.
Për të dhënë një ide të çmimit: ora e Mozzikut kushton sa 15 apartamente mesatare në Tiranë ose sa një pallat i vogël në kryeqytet. Një detaj që ka ndezur rrjetet, ku fansat ndahen mes atyre që e shohin si provë të suksesit të reperit dhe të tjerëve që e kritikojnë për luksin e shfrenuar.
Richard Mille është një nga markat më ekskluzive të botës, e veshur nga kampionë si Rafael Nadal, Lewis Hamilton apo yje të Hollywood-it. Modelet prodhohen në seri shumë të kufizuara dhe konsiderohen si vepra arti të teknologjisë së orologjisë.