Aktorja Arjola Demiri, e njohur për pjesëmarrjen e saj në edicionin e parë të Big Brother VIP Albania, ka komentuar kohën e saj në këtë reality show, duke folur për sfidat që përjetojnë të ftuarit pas daljes nga ky program. Së fundmi, Arjola ishte e ftuar në emisionin “N’krejt debat”, ku ndau mendimet e saj mbi ndikimin e këtij formati në jetën e konkurrentëve, veçanërisht për këngëtaren Beatrix Ramosaj.
Ajo shprehu mendimin se pas daljes nga Big Brother, fansat fillojnë të zbehin interesin për të njohurit e tyre, për shkak të faktit që të njohin në mënyrë të plotë, përfshirë edhe anët më të errëta. “Populli pas daljes nga Big Brother sado që të ka dashur, edhe e zbeh dashurinë që ka për ty, vetëm për faktin që të njeh mirë në të gjitha anët e tua, të mira e të errëta, negative më pozitive. Fillojnë e zbehin interesin për ty,” tha Demiri.
Në vijim, ajo komentoi për këngëtaren Fifi, duke theksuar se ajo ka pasur shumë për të përballuar pas daljes nga Big Brother. “Mendoj që Fifit i kanë ardhur shumë gjëra për një herë, ka qenë njohja me burrin e vet, lidhja e djalit. Sado që talentin e ka, mendoj që ndoshta i duhet një kohë për të arritur aty ku ishte,” shtoi Arjola.
Një moment i veçantë ishte kur Arjola komentoi mbi situatën e Beatrix Ramosaj, e cila krijoi një lidhje dashurie me Donald Veshajn gjatë qëndrimit të saj në Big Brother. Ajo e përshkroi Beatrix-in si një person shumë të ndjeshëm dhe tregoi se përvoja e saj ishte e vështirë. “Trixa është një njeri shumë i ndjeshëm. Duke marrë parasysh se nëna e ka rritur si lule mos më prek,” theksoi ajo.
Arjola foli edhe për presionin që Beatrix përjetoi nga komentuesit dhe fansat, duke shtuar se kjo ka pasur një ndikim të madh në jetën e saj. “E gjithë ajo trysni, ai presion, akuzat komentuesit, njerëzit që e bombarduan Trixën në një mënyrë të frikshme, saqë i kanë thyer xhamat e makinës, kanë shpuar gomat, mendoj që deri diku ka qenë shumë e padrejtë,” u shpreh aktorja.
Sipas Arjolës, një nga arsyet kryesore për largimin e Beatrix nga Shqipëria dhe vendosjen e saj në Amerikë ka qenë pikërisht ky presion i madh që përjetonte. “Komentuesit dhe njerëzit kanë qenë jashtëzakonisht agresivë. Mendoj që një nga arsyet kryesore për të lënë Shqipërinë e për të ikur në Amerikë ka qenë kjo trysni e frikshme ndaj Trixës, familjes së Trixës, e gjithë rrethit të saj,” përfundoi ajo.