Opinionistja e Big Brother VIP Albania, Monika Kryemadhi, ka ndarë hapur qëndrimin e saj për finalistët e këtij edicioni, duke theksuar se favoriti i saj për fitoren ishte Miri. Në një intervistë për “Breaking” në Top News, ajo tregoi se gjatë rrugëtimit në spektakël ka pasur edhe kritika për të, por me kalimin e kohës ka kuptuar strategjinë e tij në lojë.
Sipas Kryemadhit, momentet e para nuk kanë qenë të lehta për Mirin, madje ajo vetë i kishte kërkuar të reagonte dhe të dilte nga zona e komfortit. Por vendimi i tij për të ndërtuar një strategji të qartë, përfshirë edhe afrimin me banorë të tjerë, e bëri atë një lojtar më të fortë në sytë e saj.
Megjithatë, ajo nuk la pa vlerësuar edhe Selin, për të cilën u shpreh me superlativa, duke theksuar forcën dhe qëndrueshmërinë që tregoi gjatë gjithë rrugëtimit. Kryemadhi deklaroi se nëse Selin do të ishte pjesë e politikës, do ta emëronte menjëherë ministre, duke e konsideruar një figurë me potencial dhe rezistencë të lartë ndaj presioneve.
“Kam qenë e ndarë mes Mirit dhe Selin për fitoren. Selin përballoi një luftë të jashtëzakonshme dhe shumë sulme, ndërsa Miri luajti lojën e tij në mënyrën më të mirë. Do doja ta fitonte Miri, por në fund fituesi është një,” u shpreh ajo.
Në të njëjtën intervistë, Kryemadhi preku edhe jetën e saj personale, duke folur për marrëdhënien shumëvjeçare me Ilir Meta. Ajo e cilësoi këtë periudhë si më të bukurën e jetës së saj, pavarësisht sfidave dhe betejave të përbashkëta.
Kryemadhi theksoi se nuk mund të mohojë 33 vite bashkëjetesë, duke nënvizuar se ato kanë qenë vite të mbushura me eksperienca të forta, si fitore ashtu edhe humbje. Ajo vlerësoi gjithashtu faktin që Meta i ka dhënë gjithmonë liri dhe mbështetje, duke mos ushtruar kontroll në jetën e saj.
“Unë jam kjo që jam edhe për shkak të bashkëjetesës me të. Ka qenë shumë tolerant dhe më ka lënë gjithmonë të lirë,” u shpreh Kryemadhi, duke shtuar se, për shkak të angazhimeve, pushimet familjare kanë qenë të rralla gjatë viteve.