Vendi i shqiponjave nuk ka kohë për të humbur”, Rama ndan mesazhin e qytetarit lidhur me…

Vendi i shqiponjave nuk ka kohë për të humbur”, Rama ndan mesazhin e qytetarit lidhur me…

Pikat kryesore

  • “Vendi i flamingove apo vendi i shqiponjave” është postimi i qytetarit dhe që është shpërndarë nga Rama, ku trajtohen reflektime mbi shoqërinë shqiptare, protestat dhe ritmin e zhvillimit të vendit.
  • Në tekst, autori përshkruan protestat në Tiranë si paqësore dhe kreative, duke i interpretuar jo si revoltë politike të drejtpërdrejtë, por si një shprehje emocionale e shoqërisë ndaj ndryshimeve të shpejta.
  • Qytetari thotë se Shqipëria, sipas tij, duhet të ecë përpara dhe të përballet me tranzicionin e saj historik e ekonomik, duke theksuar se “vendi i shqiponjave nuk ka kohë për të humbur”.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një postim të një qytetari lidhur me protestat që po zhvillohen prej më shumë se 3 javësh në Tiranë, duke e shoqëruar me një koment personal, ku thekson se nuk e njeh autorin, por e ka shpërndarë për përmbajtjen e tij. “Vendi i flamingove apo vendi i shqiponjave” është postimi i qytetarit dhe që është shpërndarë nga Rama, ku trajtohen reflektime mbi shoqërinë shqiptare, protestat dhe ritmin e zhvillimit të vendit. Në tekst, autori përshkruan protestat në Tiranë si paqësore dhe kreative, duke i interpretuar jo si revoltë politike të drejtpërdrejtë, por si një shprehje emocionale e shoqërisë ndaj ndryshimeve të shpejta. Qytetari thotë se Shqipëria, sipas tij, duhet të ecë përpara dhe të përballet me tranzicionin e saj historik e ekonomik, duke theksuar se “vendi i shqiponjave nuk ka kohë për të humbur”. “Labinot Bislimin nuk e kam takuar kurrë, por nuk ndenja dot pa e ndarë me ju këtë postim të tijin të para dhjetë ditëve, duke falenderuar mikun e përbashkët që ma çoi sot, më mirë vonë se kurrë:-) VENDI I FLAMINGOVE APO VENDI I SHQIPONJAVE A e dini se fjala Shqipëri do të thotë vendi i shqiponjave? Kështu na quajnë shpesh edhe gazetat e huaja. Por nganjëherë pyes veten: a jemi vërtet të tillë? Këto ditë po i përcjell me vëmendje ngjarjet në Tiranë. Më duket një protestë e bukur, kreative dhe jashtëzakonisht paqësore. Madje, më jep përshtypjen se populli shqiptar kishte nevojë të takohej me vetveten. Të bënte xhiro bashkë. Të fliste me njëri-tjetrin si kurrë më parë. Më shumë se një revoltë, duket si një shpërthim dashurie. Një mënyrë për t’i thënë Shqipërisë: “Të duam.” Por çfarë dashurie është kjo? Mendoj se është dashuria e atyre që e ndjejnë se Shqipëria po ndryshon aq shpejt, sa po u ikën nga duart. Një nostalgji për Shqipërinë e varfër, të virgjër dhe ende të pashkelur nga ritmet e globalizimit dhe turizmit masiv. Është nostalgjia për “bukë, kripë e zemër”. Për lagjet e vjetra të Tiranës ku fëmijët luanin në rrugë e në oborret e njëri-tjetrit. Për një lumturi të thjeshtë, që shpesh e gjenim në varfëri dhe që sot duket sikur humbet në konturet e një ekonomie të re, ku njeriu nuk ecën më, por vrapon. Vrapon sepse është në garë me komshiun. Me shokun. Me gjeneratat e tjera. Me vetveten. Në këtë Shqipëri të re, askush nuk ka dorë mbi të, por të gjithë duan ta kontrollojnë. Të gjithë duan ta kenë sipas vizionit të tyre. E duan për vete ideologët e së majtës dhe të së djathtës. Liberalët dhe konservatorët. Nacionalistët dhe globalistët. Pro-amerikanët dhe anti-amerikanët. Fetarët dhe laikët. Të gjithë e duan Shqipërinë, por secili sipas pasqyrës së vet. Problemi është se shumë prej tyre nuk e duan me njëri-tjetrin. Dhe pikërisht këtu fillon konflikti me zhvillimin. Sepse zhvillimi ekonomik e nxjerr shoqërinë nga zona e komfortit. E detyron të ndryshojë. E detyron të pranojë ritme të reja, njerëz të rinj, ide të reja dhe konkurrencë të re. Flamingot nuk janë arsyeja e vërtetë e protestës. Ato janë simboli.

Lini një Përgjigje