Pikat kryesore
- Autoritetet në Nju Jork kanë ngritur alarmin pasi re të dendura tymi, të shkaktuara nga zjarret në Kanada, kanë përfshirë qytetin.
- Me qiellin e Manhatan-it që është kthyer në ngjyrë portokalli, zyrtarët shëndetësorë u kanë kërkuar banorëve të reduktojnë qëndrimin dhe aktivitetet në ambiente të hapura.
- Shkollat, parqet dhe institucione të tjera publike kanë transferuar veprimtaritë e tyre në hapësira të mbyllura, duke ndryshuar edhe organizimin e punës.
Autoritetet në Nju Jork kanë ngritur alarmin pasi re të dendura tymi, të shkaktuara nga zjarret në Kanada, kanë përfshirë qytetin. Me qiellin e Manhatan-it që është kthyer në ngjyrë portokalli, zyrtarët shëndetësorë u kanë kërkuar banorëve të reduktojnë qëndrimin dhe aktivitetet në ambiente të hapura. Shkollat, parqet dhe institucione të tjera publike kanë transferuar veprimtaritë e tyre në hapësira të mbyllura, duke ndryshuar edhe organizimin e punës. Në stacionet kryesore të transportit dhe në zona të tjera të frekuentuara janë shpërndarë dhjetëra mijëra maska. “ Si mund të thithet ky ajër? Nuk është i shëndetshëm. Kur eci jashtë, më duket sikur më gërvishtet fyti ”, deklaron një banore e zonës. “ Të krijon një ndjesi shumë të rëndë, të duket sikur ke astmë. Nëse nuk ke diçka për të pirë ose diçka për të mbuluar fytyrën dhe gojën, patjetër që i ndien efektet. Sytë dalëngadalë fillojnë e të djegin. Në fund, e vetmja mënyrë për të mos u prekur është të hysh diku brenda. Është e frikshme. Situata është bërë shumë më ekstreme ”, shprehet një qytetare. Udhëzime të ngjashme janë dhënë edhe në Filadelfia, ku qytetarëve u është kërkuar të mos kryejnë ushtrime fizike të rënda dhe të qëndrojnë në mjedise të mbyllura. Në rast se duhet të dalin, autoritetet rekomandojnë përdorimin e maskave. Sipas ekspertëve, sezoni i zjarreve pyjore jashtëzakonisht të rënda në Kanada gjatë këtij viti është favorizuar nga ndërthurja e kushteve atmosferike me aktivitetin njerëzor. Një pjesë e zjarreve është shkaktuar nga rrufetë, disa të tjera nga veprimtaria njerëzore, ndërsa origjina e disa rasteve vijon të jetë nën hetim.