Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik, pasi dy gjinekologe të njohura, Ibrime Mata dhe Enriketa Kroi, janë marrë të pandehura nga Prokuroria e Tiranës me akuzën e neglizhencës së rëndë në detyrë, pas humbjes tragjike të një foshnje dhe rrezikimit të jetës së nënës.
Hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga shtetasja G.S. në vitin 2023. Sipas dosjes hetimore, mjekja Ibrime Mata nuk ka mbajtur një historik të plotë dhe të saktë mjekësor për pacienten, ndonëse kjo e fundit kishte kryer disa ekzaminime gjatë shtatzënisë. Prokuroria thekson se ajo ka injoruar simptomat dhe shqetësimet e përsëritura, duke mos kryer analizat e thelluara që do të mund të parandalonin komplikacionet e rënda.
Si pasojë e mungesës së kujdesit, pacientja lindi një foshnje të parakohshme me probleme serioze shëndetësore, e cila fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë.
Pas kësaj, gruaja kërkoi ndihmën e gjinekologes tjetër, Enriketa Kroi, por hetimet zbuluan se edhe kjo mjeke nuk mori masat e duhura, pavarësisht se pacientja shfaqte shenja të qarta të një gjendjeje të rëndë patologjike, të identifikuar më vonë si pre-eklampsi e avancuar.
Në momentin që gjendja e nënës u përkeqësua ndjeshëm, ajo u dërgua me urgjencë në maternitetin “Koço Gliozheni”, ku mjekët ndërhynë menjëherë për të shpëtuar jetën e saj, duke ndërprerë shtatzëninë.
Tani, të dyja mjeket pritet të përballen në gjykatë me akuzën e shkeljes së rregullave të mjekësisë dhe neglizhencës së rëndë, ndërsa rasti ka hapur një debat të gjerë mbi përgjegjësinë profesionale të mjekëve dhe mungesën e kontrolleve në sistemin shëndetësor privat