TikTok mbyllet brenda pak ditësh në Shqipëri: Rama e quan “toksik për fëmijët”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar se TikTok do të mbyllet brenda pak ditësh në vend. Në një intervistë për gazetën spanjolle “El Mundo”, Rama deklaroi se kjo platformë është bërë një rrezik për fëmijët dhe se shumica e prindërve në Shqipëri ndihen të shqetësuar nga ndikimi i saj.

“TikTok është toksik për fëmijët,” theksoi kryeministri, duke shtuar se 95% e prindërve në Shqipëri janë të tmerruar nga kjo platformë për shkak të përmbajtjes që shfaqet dhe ndikimit që ajo ka mbi të rinjtë.

Sipas Ramës, kjo masë synon të mbrojë të ardhmen e brezave të rinj, ndërkohë që qeveria është duke eksploruar mundësitë për rregullime më të forta të platformave digjitale që ndikojnë në jetën sociale dhe edukative të fëmijëve.

Vendimi për mbylljen e TikTok është pritur me reagime të ndryshme në publik, me disa që e mbështesin si një hap të nevojshëm për të mbrojtur të rinjtë dhe të tjerë që e shohin si një kufizim të lirisë në internet.

Ndërkohë, mbetet për t’u parë se si do të implementohet kjo masë dhe nëse do të ketë mundësi për rikthimin e platformës në të ardhmen, me rregulla më strikte për përdoruesit shqiptarë.

Lini një Përgjigje